Vrioni: Gati për Shqipërinë gjithmonë, me Andorrën duruam dhe fituam

schedule14:45 - 9 Shtator, 2020

schedule 14:45 - 9 Shtator, 2020

Xhakomo Vrioni ishte shumë i lumtur për suksesin e Shqipërisë U21 ndaj Andorrës dhe për faktin se ai shënoi një gol. Pas fitores, sulmuesi i Juventusit shpreson të që stërvitet me ekipin kampion të Italisë dhe me Cristiano Ronaldon

Kënaqësinë e pati të dyfishtë. Xhakomo Vrioni doli nga fusha si fitues, por edhe si shënues goli në suksesin që Shqipëria U21 pati ndaj Andorrës në eliminatoret e Europianit. Sulmuesi i Juventusit tregoi sekretin që, sipas tij, patën Shpresat në përmbysjen e rezultatit.

“E dinin që Andorra është një ekip që mbyllet shumë mbrapa, në mesfushën e vet. Për këtë ishte e vështirë të gjeje pasin e fundit dhe për të shënuar gol. Gjithsesi patëm shumë durim edhe pasi pësuam gol. Besoj se bëmë një pjesë të dytë shumë të bukur dhe e merituam fitoren”.

Qershia mbi tortë, nëse shprehemi kështu, ishte goli i rëndësishëm për 2-1. Vrioni deklaron: “Normalisht për një sulmues goli është i rëndësishëm. Shënova të dytin dhe kemi qenë shumë zotë për të shënuar edhe të tretin. Ia dolëm”.

Për një muaj Vrioni mbush 22 vjeç dhe normalisht duhet të konkurrojë për në kombëtaren e parë. “Shpresojmë të gjithë që të jemi pjesë e kombëtares A. Gjithsesi, edhe po të më thërrasë sërish U21 nuk do të jetë problem. Do jap maksimumin edhe këtu”, shton sulmuesi.

Shqiptari i lindur në Itali kthehet në Torino dhe ndoshta mund të stërvitet me ekipin e parë të Cristiano Ronaldos. “Do kthehem në Itali dhe do vazhdoj stërvitjen. Shpresoj me ekipin e parë, ose me Juventusin U23. Nuk është ndonjë problem”, tha në mbyllje Vrioni. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!