Shqipëria U-21 ka krijuar entuziazëm të madh te tifozët me futbollin e bukur dhe rezultatet pozitive. 1-5 ndaj Austrisë dhe 3-1 kundër Andorrës brenda pak ditësh janë shumë dhe Alban Bushi ndihet krenar për djemtë e tij.
Një brez shumë i mirë dhe i talentuar po rritet, dhe në konferencën për shtypin, trajneri i kuqezinjve të vegjël vlerëson karakterin e kombëtares U-21, teksa prek disa tema në deklaratën e dhënë.
“Objektivi kryesor është furnizimi i kombëtares A. Por nuk i kemi lënë pas rezultatet, kemi vlerësuar ndeshje pas ndeshje. Duhet t’i shikojmë ndeshjet një nga një. Është një moment i mirë për ne, duhet të shpresojmë, por të fokusohemi vetëm te ndeshja e Kosovës. Pas kësaj ndeshje do të flasim për objektivat.
Jam shumë i kënaqur me lojtarët që kam. Gjithmonë janë rreth dhjetë lojtarë të rinj. Na vështirësohet puna, disa i merr ekipi A, disa mungojnë, edhe pandemia ka ndikuar. Është bërë një punë e mirë, FSHF ka krijuar një strategji shumë të mirë me gjithë kombëtaret e moshave.
Është një punë që ka filluar herët, përsëri është mirë ekipi sa herë që kemi mungesa. Ekipi A nuk do të vuajë për lojtarë në të ardhmen. Fitoret e fundit? Nuk prisja t’i shënojë 3 gola Andorrës, ndërsa për Austrinë isha shumë optimist.
E kam shprehur edhe përpara ndeshjes që mund të bëjmë 4-5 gola, gjithmonë nëse luajmë futbollin që dimë ne, këtë iu thashë çunave. Janë ekip gjerman, të lënë të luash dhe ne dimë të luajmë kur na lejojnë. Kisha shumë besim që do të shënonim.
Andorrën e kisha frikë prej faktit që rrinë shumë mbrapa, do e kishim të vështirë pasi vuajmë kundër këtyre ekipeve. Kishim dy ditë kohë për të punuar, zgjodhëm të luanim nga krahët. Nuk kërkohej shumë futboll, ishte një ndeshje ku duhej të merrej 3-pikëshi.
Mosha ’98 ’99, ‘2000, ‘2001 dhe ‘2002 është plot talente. Reja nuk do të rrijë kë të marrë në të ardhmen. Jemi bërë një Francë e vogël, trajneri do të lërë shumë lojtarë të mirë pa marrë në të ardhmen. Ku ta gjejmë që prej më të mirëve të zgjedhim më të mirët. Është luks për trajnerin.
Nuk më interesojnë emrat, duhet të fokusohemi te kombëtarja. Nuk më intereson klubi i lojtarëve, përgjegjësitë i marr unë dhe vendos në bazë të asaj që shoh gjatë javës.
Kush mund të luante te kombëtarja A në formacion? Mendoj se shumica e lojtarëve të Shpresave në këtë moment, mund të jenë kandidatë për ekipin A. Reja e di më mirë se kush mund të jetë më i dobishëm.
Rëndësi për trajnerin ka që lojtarit ti merret maksimumi, të vendoset aty ku jep më të mirën. Kërkoj që të jemi 11 veta mbrapa kur kundërshtari ka topin, ama kur e kemi ne dua që të sulmojmë me 6-7 vetë. Në Austri mbrojtëm shumë mirë në 30 metrat e fundit, edhe pse shënuam 5 gola.
Doja të futesha në fushë dhe t’i ndihmoja në Austri, nuk është pak të përballosh atë ekip, që ka lojtarë ku luajnë në klube të njohura. Meritojnë falënderim të madh lojtarët për sakrificën.
U-21 është me breza. Ditëlindja e ’98 si Kallaku dhe Vrioni, edhe dy ndeshje janë dhe ikin. Vjen brezi tjetër, marrim më të mirën e momentit, i lëmë të luajnë lirshëm, të marrin emocion, eksperiencë dhe të kënaqen, nuk bëjmë plane afatgjata. Kombëtarja ka rreth 12-13 lojtarë që kanë ardhur nga Shpresat në 2 vitet e fundit“, përfundon Bushi. /abcnews.al