Fusha e “Air Albania Stadium” ishte në gjendje më të keqe se kurrë në sfidën ndaj Lituanisë. U arrit deri aty sa u mendua të zhvendosej ndeshja në Elbasan, ndërsa ka plane për ta bërë tapetin nga e para
Problemet i shfaqi që në fillim, por u mendua se do të kalonin. Fusha e “Air Albania Stadium” ishte i vetmi element i stadiumit të cilësuar si më i miri në Ballkan që nuk i përgjigjej këtij vlerësimi, e madje që ka ardhur duke u përkeqësuar.
Në ndeshjen ndaj Lituanisë u vu re se tapeti copëtohej lehtë, jo më vetëm në krahun jugor, por edhe në atë të veriut ku rrezet e diellit e kapin gjatë gjithë kohës. Edhe vetë drejtuesit e stadiumit dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit ishin të ndërgjegjshëm për gjendjen e barit.
Madje burime në institucion pohuan për Abc Neës se ishte diskutuar gati edhe zhvendosja e sfidës për në “Elbasan Arena”. “Bëmë gabim që nuk luajtëm në Elbasan”, – u shpreh ky burim, i cili informoi se pritet që të hiqet krejt tapeti për t’u ribërë, pasi nuk ka shpresë se mund të përmirësohet.
Të tjera burime në Federatë u shprehën se faji për gjendjen e fushës është i specialistëve dhe treguan se janë ndryshuar agronomë njëri pas tjetrit, por përmirësim nuk ka pasur.
Nuk dihet sesi është bërë përzgjedhja e agronomëve dhe përse qenka kaq e vështirë për të gjetur një specialist të saktë, por informacioni është se këta e kanë trajtuar fushën e Arenës njëlloj si atë të Elbasanit, kur duket se kushtet janë të ndryshme.
Pas ndeshjes me Francën, në Federatë u shprehën se do të instalonin llamba të fuqishme ndriçuese pas portës në krahun jugor për ta ngrohur barin në mënyrë artificiale, por kjo gjë nuk është bërë. Ndoshta investimi prej 50 apo 100 mijë eurosh duket i tepërt në këto kohë pandemie. /abcnews.al