Në dy ditët e ardhshme, grupi parlamentar i PD-së do të marrë pjesë rregullisht në mbledhjet e komisioneve të parlamentit, me të cilin opozita ka vendosur një marrëdhënie të kushtëzuar.
Mësohet se nesër e pasnesër, deputetët e PD-së do marrin pjesë në të gjithë komisionet parlamentare për të denoncuar faktet, sipas tyre, të rënda që po publikohen ditët e fundit nga selia blu.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, të thirrur sot në orën 14.00 mësohet se kryetari Basha ka bërë një përmbledhje të denoncimeve të bëra deri tani, lidhur me Agron Xhafajn dhe mbrojtjen, sipas tij, nga ministri i Brendshëm, vëllai i tij Fatmir Xhafaj. Sipas burimeve, Basha është shprehur se do të vazhdojë publikimi i fakteve të tjera lidhur me këtë çështje.
Basha mësohet të jetë shprehur në mbledhjen e grupit se nesër dhe pasnesër ligjvënësit e PD-së do të shkojnë në komisionet parlamentare për të treguar se nuk do të ketë normalitet në vend, ndërsa vendimet e mëdha të opozitës do të merren hap pas hapi./abcnews.al