Lorik Cana e ka nisur ditën në ABC News dhe e mbyll aty. Në fokus kombëtarja dhe këtë herë kapiteni legjendar flet në një lidhje direkte me emisionin “Pressing” të moderatorit Gerti Çarçani. Sigurisht humbja e Shqipërisë me Lituaninë i ka lënë shije jo të mirë atij dhe gjithë shqiptarëve.
“Në fakt, ndeshjen e pashë dhe nuk mund ta ndjek ndeshjen e fundit me Bjellorusinë, por ndeshjen e sotme e pashë. E shikova me shumë vëmendje, duke ditur se do të kishte ndryshime. Duke parë se çfarë momenti po kalojmë, çfarë kompeticioni të ri jemi duke luajtur. Ishte një mundësi e mirë që të konfirmonim formën e mirë pas fitores ndaj Bjellorusisë.
Më vjen shumë keq, pas atij fillimi të mirë, ramë shumë. Nuk ndryshon shumë gjëra kjo humbje. Për mendimin tim, mbetet opsioni më i mirë për t’u kualifikuar (Nations League). Nuk e di nëse mund të prisnin shumë diferencë kundër Bjellorusisë, pasi ata kanë luajtur rregullisht futboll. Por futbollisti e ka me momente, me ditë, në Bjellorusisë bëmë shumë sakrificë dhe sot morëm “kolpo”.
Shqipëria ka disa futbollistë shumë të mirë, që na japin siguri për të ardhmen. Por kemi dhe momente kur duhet të reflektojmë dhe të dimë që kemi ende shumë vend për përmirësime. Patjetër që duhet të punohet me ekipin.
Është ndërruar thuajse totalisht baza e ekipit kombëtar që nga koha kur isha unë. Trajneri aktual mendon se është më mirë të luhet me tre qendërmbrojtës. Është një repart që më jep siguri për të ardhmen, pasi kemi shumë alternativa të mira. Sigurisht dhe Marashi (Kumbulla), që po bën shumë ndeshje të mira në Serie A. Nëse është një repart që më jep siguri, është mbrojtja”, u shpreh Cana./abcnews.al