Kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku ka pezulluar nga detyra Rovena Gashin, prokurore pranë prokurorisë së përgjithshme dhe bashkëshortin e saj Dritan Gina, prokuror pranë prokurorisë së Tiranës. Shkak është bërë marrja nisja e një hetimi ndaj tyre nga Prokuroria e Durrësit për akuzën e “deklarimit të rremë të pasurisë”.
Ish-drejtoresha e marrëdhënieve me Jashtë dhe e Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, Rovena Gashi dhe bashkëshorti i saj, prokurori Dritan Gina u pezulluan nga detyra. Urdhri për këtë “ngrirje” u firmos nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, për shkak të një hetimit të nisur ndaj tyre nga Prokuroria e Durrësit. Aktualisht Gashi ushtronte funksionin e prokurores në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa Gina në Prokurorinë e Tiranës.
Zyra e shtypit pranë kryeprokurores bëri me dije Marku urdhëroi pezullimin e prokurorëve nga detyra pas një informacioni të përcjellë nga Prokuroria e Durrësit për marrjen e tyre në cilësinë e të pandehuriut për veprën penale të “refuzim i deklarimit, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”. Sipas prokurorisë, dy bashkëshortët prokurorë dyshohet ta kenë konsumuar këtë veprë penale në formën e deklarimit të rremë të pasurisë.
Prokuroria e Përgjithme njoftoi se ata do të qëndrojnë të pezulluar deri në përfundim të hetimeve, ose të gjykimit të procedimit penal të regjistruar pranë Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Durrës.
Kjo nuk është vendimarrja e parë e Markut në lidhje me emrat e bashkëshortëve Gashi e Gina. Pas marrjes së detyrës, kryeprokurorja shkarkoi Gashin nga pozicioni drejtues i Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë dhe të strukturës së Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme. Gashi iu drejtua gjykatës për anulimin e këtij urdhri, por në 8 mars Gjykata Administrative rrëzoi pretendimet e saj.
Një muaj pas uljes në detyrë të Gashit, Marku shkarkoi bashkëshortin e saj Dritan Gina, nga pozicioni i drejtuesit të komanduar të prokurorisë së Elbasanit. Gina e kallëzoi Arta Markun për shpërdorim detyre tek Krimet e Rënda, kallëzim që u dërgua në prokurorinë e Durrësit. /abcnews.al