“Oferta pafund, Kumbulla mund të luajë në një nga 10 klubet më të mira”

schedule19:38 - 7 Shtator, 2020

schedule 19:38 - 7 Shtator, 2020

Interesim i madh për Marash Kumbullën, por Hellas Verona nuk ka vendosur akoma për shitjen e tij. Shumë oferta kanë mbërritur në drejtim të 20-vjeçari të talentuar shqiptar, i cili i ka surprizuar të gjithë me paraqitjet fantastike në sezonin e parë të luajtur në Serie A.

Presidenti i klubit italian, Maurizio Setti flet rreth situatës së qendërmbrojtësit të kombëtares shqiptare në një prononcim për Il Giornale. Kreu i Hellas Verona po “shijon” ankandin e hapur dhe beson se djaloshi nga Malësia e Madhe zotëron kualitetin për të luajtur në klube të mëdha.

Kemi marrë shumë oferta për Kumbullën, të gjithë klubet e mëdha janë të interesuara për shërbimet e tij. Gjithmonë kemi besuar në cilësitë e tij, kemi refuzuar oferta të bujshme edhe kur ishte pjesë e Akademisë tonë.

Marashi e ka kokën në vend dhe zotëron gjithçka për të luajtur me një nga dhjetë skuadrat më të mira në botë“, deklaron Setti. Inter, Lazio, Juventus dhe Milan e duan Kumbullën në Serie A, teksa ka një interesim të madh edhe nga jashtë Italisë. /abcnews.al