Juventusi arriti akordin me Schalke 04 për huazimin e Weston McKennie për shumën e 4.5 milion eurove, teksa ka të drejtën e blerjes së lojtarit në fund të sezonit për 20 milion euro.
Mesfushori 22-vjeçar është amerikani i parë që do të mbajë veshur fanellën e kampionëve të Italisë, ndihet krenar për diçka të tillë dhe shpreh gjithë lumturinë e tij që do të jetë pjesë e Juventusit.
Në konferencën për shtypin të prezantimit përpara popullit bardhezi, McKennie ndalet edhe te trajneri Andrea Pirlo, ndërsa zbulon se idhulli i tij ka qenë Francesco Totti, legjenda dhe kapiteni i përjetshëm i Romës.
“Ndodhi gjithçka brenda dy javëve. U lumturova kur mora vesh për interesimin e Juventusit. Entuziazëm i madh, e doja me çdo kusht kalimin te ky klub. Është krenari të jem amerikani i parë që luan me Juventusin.
Jam i nderuar që do të luaj me bardhezinjtë. Ky klub është shumë i famshëm në SHBA, do të përpiqem edhe unë të promovoj edhe më shumë markën e Juves në vendin tim. Drejtuesit nuk patën probleme për të më bindur të vija këtu.
Trajneri? Pirlo është një mjeshtër, është një ëndërr e kthyer realitet fakti që do të mësoj shumë nga ai dhe do të luaj me lojtarë të kalibrit të madh. Marrja dhe qarkullimi i topit është një pikat e mia më të forta.
Kam biseduar me Pirlon, më ka thënë që i pëlqen stili im i lojës dhe aftësia për të rikuperuar topa. Kemi rënë dakord për pozicionin ku do të aktivizohem dhe ku do të lëviz.
Idhulli? I ri admiroja Francesco Tottin për klasin e madh që kishte si futbollist. Jam ndikuar shumë nga ai kur isha i ri. Tani do të luaj me CR7, të cilin e zgjidhja në ‘play-station’. Do kem shumë avantazhe nga fakti që do të luaj përkrah tij“, deklaron McKennie. /abcnews.al