Goli në San Siro, Daniel Maldini: Mbrëmje e mrekullueshme, Ibra na ndihmon shumë

schedule16:29 - 6 Shtator, 2020

schedule 16:29 - 6 Shtator, 2020

Dinastia Maldini te Milani vazhdon. Cesare dhe Paolo kanë shkruar historinë dhe kanë fituar gjithçka me kuqezinjtë, teksa një tjetër pinjoll i kësaj familje legjendare sapo ka nisur aventurën e tij me ngjyrat kuqezi mbi supe.

Daniel Maldini aktivizohet në repartin sulmues, është 18 vjeç dhe mbrëmjen e kaluar shënoi në debutimin e kryer në “San Siro”. Ekipi i Piolit mposhti 4-1 Monzën në miqësore dhe Daniel Maldini realizoi një gol shumë të bukur në fundin e pjesës së parë.

Ishte e mrekullueshme të luaja në San Siro. Edhe pse nuk kishte tifozë, u zhvillua një ndeshje e bukur. Shënimi i golit e përmirësoi mbrëmjen, që u kompletua nga fitorja e skuadrës“, deklaron adoleshenti i talentuar për Milan TV.

Lojtari ofensiv tregon objektivin e tij dhe e mbyll me një koment për Zlatan Ibrahimovic, liderin e Milanit. “Ne lojtarët që kemi ardhur nga të rinjtë, po përpiqemi të tregojmë vlerat tona edhe në ekipin e parë.

Ibrahimovic? Zlatan është shumë i aftë dhe tepër i mirë. Na flet shumë dhe na ndihmon prania e tij në fushë. Ai është shumë i rëndësishëm për ne“, deklaron Daniel Maldini, i cili është në rrugën e duhur për t’i dhuruar popullit milanist një tjetër Maldin fantastik. /abcnews.al