Baroni shqiptar i drogës në Turqi, Met Kanani rezulton të jetë dënuar disa vite më parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tvklan.al ka mësuar se Met Kanani ishte dënuar me 5.3 vite burg në SHBA në vitin 2001. Ai u shpall fajtor nga Gjykata amerikane për futjen në territorin e SHBA-së së një sasie metamfetamine (MDMA) apo ekstazie.
Met Kanani mohoi fillimisht akuzat dhe kërkoi nga autoritetet amerikane që të hiqnin dorë nga kjo çështje, me pretendimin se ekstazitë që kishte futur në SHBA ishin të ligjshme. Mirëpo gjykata e kundërshtoi këtë kërkesë të tij, duke argumentuar se substanca MDMA nuk është e përfshirë në pesë kategoritë e substancave të kontrolluara nga Kongresi Amerikan. Për këtë arsye, ai u dënua me 5 vite e 3 muaj burg nga Gjykata amerikane.
Vitet e fundit, Met Kanani kishte ngritur një grup kriminal që trafikonte lëndë narkotike në Turqi-Greqi-vendet e BE dhe Maqedoni-Shqipëri- vendet e BE. Organizata e Met Kananit trafikonte gjithashtu kokainë nga Amerika Latine përmes vendeve të Ballkanit në Shqipëri dhe vendeve të BE-së.
Një ditë më parë, Policia dhe Prokuroria shqiptare njoftuan për goditjen ndaj grupit të Met Kananit në Shqipëri. 18 persona u arrestua, pjesa më e madhe e të cilëve në vendin tonë. Ky operacion është zhvilluar në bashkëpunim edhe me agjenci ligjzbatuese të vendeve të tjera partnere. Kreu i kësaj organizate të fuqishme kriminale, Met Kanani është arrestuar në Turqi disa javë më parë dhe ndodhet në burg, së bashku me disa shqiptarë të tjerë bashkëpunëtorë të tij./tvklan.al