Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka reaguar pas njoftimit nga kryeministri i Izraelit për njohjen e Kosovës.
Ai shprehet se e mirëpret qëllimin e mirëfilltë për të njohur Kosovën dhe për të vendosur marrëdhënie diplomatike mes vendeve.
“Kosova do ta mbajë premtimin e saj për të vendosur misionin e saj diplomatik në Jeruzalem”, shkruan Thaçi.
Ndërkohë kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, pas marrëveshjes për njohje reciproke mes shtetit të tij dhe Kosovës u shpreh: Kosova do të jetë “shteti i parë me shumicë myslimane që hapë ambasadë në Jerusalem. Siç kam thënë në ditët e fundit, rrethi i paqes dhe i njohjes së Izraelit po zgjerohet, dhe shtete të tjera pritet t’i bashkohen atij”, tha ai.
Sakaq njohja reciproke Kosovë-Izrael vjen pas ndërmjetësimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
/abcnews.al/