Qytetarët e Kosovës ishin turistët besnikë për jugun e Shqipërisë në këtë kohë pandemie.
Vasil Bedinaj, kreu i operatoreve turistike për jugun e vendit thekson se sezoni turistik këtë vit do të zgjatet deri në fund të shtatorit.
“Përsa i përket tre muajve kemi pasur qytetarë të Kosovës në masën 70 %, në hotele.
E ndjej veten borxhli. Kanë qenë në shifrat më të larta. U mor si me frikë, por pandemia nuk ndikoi negativisht. Janë ditët e para të shtatorit dhe sërish mbetemi brenda parashikimeve. Sezoni ishte i shkurtër edhe për shkak të pandemisë. Por të jemi realist sepse sezoni i kaloi pritshmëritë”, tha ai.
Sipas Bedinaj problematika me të cilat haset sektori i turizmit është forca punëtore e kualifikuar.
“Notën negative e marim tek shërbimi. Nuk flasim për punonjës të kualifikuar si kamarier apo banakier. Flasim për menaxhim, menaxhimi ka edhe marketingun brenda. Ne kemi nevojë për njerëz, që ti trajnojmë. Kemi pasur shumë studentë. Ata kanë ikur sepse po i kthehen shkollave”, shprehet ai.
Sipas tij nëse nuk zgjidhet ky ngërç është e pamundur që shërbimi të jetë në standardet e duhura. /abcnews.al/