Të martën kryeministri Edi Rama do të udhëtojë drejt Francës për t’u takuar me presidentin Emanyel Makro. Në pallatin Elize kreu i qeverisë shqiptare do të duhet të bindë presidentin francez për të votuar në qershor pro hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Kryeministri Edi Rama ka premtuar të mahnisë presidentin francez Emanuel Macron për të votuar pro hapjes së negociatave, madje është shprehur besimplotë se do t’ia dalë.
Dita kur pritet të ndodhë kjo është e marta. Në takim 60 minutësh në Pallatin Elysee kreu i qeverisë shqiptare do të bindë presidentin francez të mbajë qëndrim pozitiv ndaj Shqipërisë në procesin e hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian. Numri një i shtetit francez i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së kryeministrit Rama për të zhvilluar një takim para vendimit që do të merret në qershor nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Rreth dy javë më parë kreu i qeverisë shqiptare u takua me kancelaren gjermane Angela Merkel ku për 90 minuta biseduan për parakushtet që duhet të plotësojë vendi ynë për të hedhur hapin e rradhës drejt integrimit në familjen evropiane.
Siç ka lajmëruar edhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati qeveria ka ndezur motorat për të lobuar me çdo vend dhe deputet skeptik ndaj nisjes së bisedimeve të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. /abcnews.al