Autoritetet greke e kanë shtyrë rihapjen e shkollave me një javë për në 14 shtator për shkak të një rritjeje të rasteve me Covid-19. Lajmin e ka bërë të ditur qeveria e vendit.
Rritja e rasteve në javët e fundit i ka detyruar autoritetet greke që të rivendosin gradualisht kufizime për të frenuar përhapjen e Covid-19.
Kryeqyteti Athina dhe shumë ishuj të njohur janë prekur nga mungesa e turistëve, krahasuar me vitet e kaluara, shkruan abcnews.al
Zëdhënësi i qeverisë Stelios Petsas tha se zgjatja ishte e nevojshme që familjet të ktheheshin në qytetet e mëdha nga pushimet verore dhe të kalonin ca kohë në shtëpi para se fëmijët të kthehen ne shkollë.
“Ne i nxisim të gjithë prindërit të kthehen me fëmijët në shtëpitë e tyre në ditët në vijim dhe të sigurohen që ata të qëndrojnë të sigurt deri sa të rinisin mësimet,” tha Petsas.
Mbajtja e maskave do të jetë e detyrueshme në të gjitha hapësirat e brendshme të shkollave në të gjithë vendin.
Greqia ka raportuar 207 raste të reja me Covid-19 që nga e hëna, duke e rritur kështu numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 10,524.
Nga ana tjetër, vendi ka regjistruar një total prej 271 vdekjesh të lidhura me Covid-19, duke përfshirë pesë raste fatale që nga e hëna. /abcnews.al/