Lumturia duket se është zbehur nga fjalori ynë në këtë kohë pandemie dhe mes trazirave ekonomike që po përjetojmë përgjatë këtij viti. Për këtë arsye Danimarka ka ndërmarrë një nismë të veçantë: hapjen e një Muzeu të lumturisë.
Muzeu i parë në botë kushtuar konceptit të lumturisë u hap më 14 Korrik në qendrën historike të Kopenhagen. Hapja e këtij muzeu ishte një ide e Institutit të Kërkimit të Lumturisë, që merret me studimin e shoqërive të ndryshme, shkruan abcnews.al.
Muzeu ishte gati që në fillim të vitit, por për shkak të mbylljes së kufijve nga pandemia, Instituti duhej të vendoste nëse do ta hapte ose jo. “Ne menduam, mund të mos ketë shumë vizitorë këto ditë, por bota ka nevojë për pak më shumë lumturi,” thotë Meik Wiking, CEO i Institutit për CNN.
Muzeu iu ofron vizitorëve një turne, duke treguar se si kanë ndryshuar perceptimet për lumturinë gjatë historisë, si perceptohet në rajone të ndryshme dhe pse disa vende janë më të lumtura se të tjerët. Gjithashtu, njerëz nga e gjithë bota kanë dërguar objekte që simbolizojnë lumturinë. /abcnews.al/