Partitë politike në Itali i kanë kërkuar edhe 24 orë kohë Presidentit në përpjekje për të gjetur një marrëveshje për krijimin e qeverisë. Sipas mediave italiane, nga radhët e së djathtës fjalën e fundit do ta thotë ish-kryeministri Berlusconi.
Klasa politike në Itali po pret me ankth vendimin e ardhshëm të kreut të shtetit, pasi partitë Liga e Veriut dhe Lëvizjes 5 Yjet kanë kërkuar edhe 24 orë për të gjetur një marrëveshje për formimin e qeverisë. Gjatë pasdites, Matteo Salvini dhe Luigi di Maio janë ulur në një takim kokë më kokë, në përfundim të të cilit i kanë bërë kërkesën e tyre Presidentit Mattarella.
“Brenda 24 orëve do të kem diçka për të thënë, por çfarëdo që të ndodhë aleanca e së djathtës nuk do të prishet. Përkundrazi, ekzistenca e saj është një parakusht”, ka thënë Salvini, i cili ka shtuar se do të ketë kontakte të mëtejshme me interlokutorët politikë, përfshirë aleatin Silvio Berlusconi.
Ndërkohë, kreu i 5 Yjeve, Di Maio ka bërë me dije se po vazhdon fushatën elektorale për t’i paraprirë opsionit të zgjedhjeve të reja në rast dështimi.
“Unë nuk e kam ndërprerë fushatën. Salvini më kërkoi 24 orë të tjera dhe së bashku ia kërkuam presidentit, por unë fushatën do ta vazhdoj”, ka thënë Di Maio.
Sipas agjencisë së lajmeve “ANSA”, që citon eksponentët e Ligës së Veriut, fjala e fundit i takon ish-kryeministrit Berlusconi.
“Tani presim që Berlusconi të flasë qartë brenda 24 orëve. Duhet t’i hedhim hapat me radhë dhe i ardhshmi është pritja e lëvizjes së Kavalierit”, ka thënë kreu i grupit parlamentar të Ligës, Gianmarco Centinaio, i cili është shprehur optimist.
Italia është pa qeveri që prej zgjedhjeve të 4 Marsit, që nxorrën fituese Lëvizjen 5 Yjet që garoi e vetme dhe bllokun e djathtë të kryesuar nga Liga e Veriut. Por asnjë prej palëve nuk siguroi dot shumicën për të qeverisur e vetme./abcnews.al