“Ngacmo një lule” është eksperimenti më i ri i zhvilluar me disa nxënës shkolle në Dubai. Qëllimi i eksperimentit një mujor ështe përçimi i mesazhit kundër dhunës verbale dhe fizike në shkolla, i njohur si fenomeni i bulizmit.
Dy lule identike në një shkollë. Fëmijët duhet të kujdeseshin për njërën nga lulet dhe të trajtonin keq tjetrën. Pas 30 ditësh rezultatet ishin të dukshme. Lulja e parë kishte çelur, ndërsa tjetra i kishte gjethet e thara. Eksperimenti “ngacmo një lule” u ideua nga Ikea në Dubai për t’i dhënë mesazh fëmijëve për dhunën verbale dhe fizike.
Ndryshimi qëndron tek fjalët. Të dyja lulet morën të njëjtën sasi uji dhe drite. I vetmi ndryshim ishte sjellja e nxënësve të shkollës ndaj tyre. Nëse nga njëra anë kishte përkëdhelje, komplimente dhe fjalë inkurajuese, nga ana tjetër kishte vetëm ofendime dhe fyerje. Nxënësit u filmuan për të regjistruar ato fjalë që I thoshin bimëve, në mënyrë që zërat e tyre të dëgjoheshin 24 orë në ditë.
Pas 30 ditësh ata u thirrën për të parë me sytë e tyre pasojën e sjelljeve që kishin pasur me lulet. Ajo që kishte marrë vetëm komplimente ishte rritur, ndërsa tjetra i kishte gjethet e thara. Mesazhi ishte i qartë, në thelb kjo është ajo që i ndodh atyre që janë viktima të bulizmit, qoftë ai verbal apo fizik. /abcnews.al