Është ekstraduar nga Turqia pas afro dy dekadash arrati Izet Haxhiaj. Ish-truproja e Sali Berishës ishte dënuar në mungesë me 25 vite burg për vrasjen e deputetit të PD-s Azem Hajdari, në 12 Shtator 1998.
Avioni që sillte Izet Haxhiaj nga Stambolli u ul në aeroportin e Rinasit në orën 20:08 minuta. Në masa të rrepta sigurie, 52-vjeçari Haxhiaj doli nga avioni, i shoqëruar nga 4 oficerë të Interpol Tiranës, ndërsa policia më herët ishte kujdesur të mbante mediat larg rrethimit të aeroportit.
Ish-truproja i Presidentit Sali Berisha në vitet ‘92-‘97 u arrestua në vitin 2006 në Turqi, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare. Ai është dënuar në mungesë në 29 Prill 2002 me 25 vite burg për vrasjen e Azem Hajdarit, akuzë të cilën Haxhia nuk e ka pranuar asnjëherë. Sipas vendimit te gjykatës, ai është shpallur fajtor për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim”, “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “Vrasje me paramendim të mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim”
Prej 12 vjetësh, Izet Haxhia kishte qëndruar në Turqi, ku autoritetet kishin pranuar të mos e ekstradonin, me kushtin që të mos dilte nga vendi. Por në Shkurt të këtij viti u vendos ekstradimi i tij në Shqipëri. Haxhia u vetëdorëzua tek autoritetet turke pak javë më pare. Ai kërkoi që të ekstradohet duke kerkuar nga drejtësia rihapjen e dosjes “Hajdari”. Haxhia ka thënë se do të paraqesë prova të reja lidhur me vrasjen e Azem Hajdarit në 12 Shtator 1998.
Brenda 72 orësh, Izet haxhia duhet të paraqitet pranë Gjykatës së Tiranës, për t’u njohur zyrtarisht me vendimin e dhënë në mungesë nga kjo gjykatë 16 vjet më parë për denimin e tij me 25 vjet heqje lirie./abcnews.al