Analiza e ujit/ Gjiknuri: Kryebashkiakët pa rezultate të mos kandidojnë më

schedule17:03 - 8 Maj, 2018

schedule 17:03 - 8 Maj, 2018

Në rast se Bashkitë nuk japin rezultate në aksionin e ujit, qeveria do u shkurtojë fondet. E ka deklaruar ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, i cili bëri të ditur se nësë vendorët dështojnë, atëherë ligji do ndryshohet për t’u hequr ujësjallësat si kompetencë.

Tri bashkitë, të cilat kanë patur performancën më të mirë gjatë aksionit kundër paligjshëmrisë në sektorin e ujit janë Durrësi, Tirana dhe Fieri, ndërsa ato të cilat kanë rezultatet më të dobëta janë Kukësi, Dibra dhe Elbasani. Tabloja u paraqit nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, gjatë analizës vjetore të Agjencisë Kombëtare te Ujësjellës Kanalizimeve. Ai ishte i prerë kur tha se në bazë të performancës do të jepen edhe fondet për bashkitë nga buxheti i shtetit.

 “Nuk mundet që bashkitë të mbyllin sytë dhe të thonë ‘e mo mirë se unë jam i zgjedhur vendor dhe nuk kam pse reagoj për këtë’. Jo përkundrazi. Ne duhet t’ia bëjmë të qartë njerëzve që ata të zgjedhur vendorë që nuk marrin masa për të administruar këtë mall kaq të rëndësishëm për ta nuk ka pse edhe të kandidojë më apo nuk kanë pse të kenë mbështetjen e njerëzve. Se njerëzit shpeshherë e transferojnë përgjegjësinë tek qeveria”.

Ministri i Infrastrukturës tha se nuk duhet të përsëriten as gabime të të shkuarës, duke iu referuar rastit të kallzuar në prokurori me abuzimin e fondeve të impiantit të pastrimit të ujrave të zeza në Tiranë.

 “Kemi projekte të dështuara si ai i Tiranës, ku e dinë të gjithë që është shpenzuar mbi 80 e ca milionë euro dhe sistemi i trajtimit të kanaleve të ujërave të zeza nuk ka përfunduar dhe rrezikon që ai projekt të mbetet në rrugë.”

Të ardhurat nga sektori i ujësjellësave janë shtuar me 9 milion euro, ndërsa janë lidhur 25 mijë e 300 kontrata të reja. /abcnews.al