Pritshmëri të larta ka qeveria për numrin e turistëve që do të vizitojnë Shqipërinë këtë sezon turistik. Ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi flet për 7 deri ne 8 milionë turistë, ndërsa prezanton projektin “Smile Albania”.
Rreth 8 milionë turistë parashikohet të vizitojnë Shqipërinë këtë vit. Pritshmëritë janë të Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit e cila për herë të parë ka hartuar një projekt që synon t’i rikthejë sërish në vendin tonë.
Në forumin “Advokacia qytetare dhe promovimi në mbrojtjen e mjedisit” ministri Blendi Klosi tregoi se rreth 1 mijë të rinj vullnetarë do të informojnë turistët për atraksionet që ofron Shqipëria, në çdo pikë kufitare dhe në çdo zonë të mbrojtur, për tre muajt në vijim.
Për një Shqipëri më të pastër gjatë sezonit turistik Ministria e Mjedisit dhe Turizmit prej gjashtë muajsh ka ndërmarrë një aksion pastrimi. Ndërkohë bizneset që derdhin ujërat e zeza në det janë paralajmëruar se nëse nuk marrin masa deri më 1 qershor do t’u ndërpritet aktiviteti. Sipas ministrit Blendi Klosi vitin e shkuar në vendin tonë kanë hyre 6.7 milionë vizitorë ndër to mbi 5 milionë turistë të huaj. /abcnews.al