“Ryshfet, rezistim ndaj arrestit dhe dhunë në ambiente publike”, këto ishin akuzat që rëndonin me Harry Maguire, i cilësuar fajtor një ditë më parë nga gjykata. Mbrojtësi i Anglisë humbi edhe grumbullimin me kombëtaren e tij, ndërkohë që trajneri Gareth Saouthgate foli për vendimin e marrë.
“Duke parë zhvillimet e fundit, mund t’ju konfirmoj se kam vendosur të lë jashtë liste Harry Maguire për ndeshjet kundër Islandës dhe Danimarkës. Sicc e kam thënë edhe më herët, kam të drejtën ta rishikoj situatën. Duke folur me Manchester United dhe lojtarin, unë e kam marrë këtë vendim në të mirë të të gjitha palëve.
Në aspektin e karakterit si njeri, ai është absolutisht i jashtëzakonshëm dhe këtë e tregon edhe fakti që Manchester United e ka barë kapiten. Mendoj se është e drejtë të them që besoj shumë te Harry dhe është e drejtë ta bëj këtë, bazuar në raportin tim me të dhe në atë që ai ka dhënë për ekipin. Kam folur me të dhe kam pasur një pasqyrë të asaj që ka ndodhur dhe është shumë ndryshe nga sa është raportuar.
Në këtë rast unë them se mund të merrni një vendim vetëm për faktet që jeni në dijeni. Është e qartë që nëse gjërat ndryshojnë, unë do e rishoh vendimin tim. Por unë kam një raport fantastik me Harry. Nuk kam arsye të dyshoj në ato që më ka thënë dhe është e rëndësishme që ai e di se ka mbështetjen tonë”, është shprehur trajneri i Anglisë.
ÇFARË NDODHI NË GREQI – Harry Maguire, së bashku me vëllanë e tij dhe një mik po festonin në Mykonos dhe aty kanë pasur një sherr. Pretendimet e anglezit janë se dy shqiptarë kanë sulmuar motrën e tij me një mjet të mprehtë dhe ajo është zbehur, madje ka humbur vetëdijen.
Oficeri që ka qenë në vendngjarje është shprehur se nuk e ka vënë re dëmtimin e motrës së anglezit, shkruanin dje mediat greke. Pas sherrit i është kërkuar shoferit të fugonit t’i çonte në spital. Ai ka menduar ndryshe dhe i është drejtuar komisariatit. Kjo është ajo që shkruan gazzetta.gr, ndërkohë që prokurori para gjykatës ka zbuluar edhe fjalët me të cilat kapiteni i United u është drejtuar oficerëve të policisë në komisariat.
“A e dini kush jam unë? Jam kapiteni i Manchester United. Jam shumë i pasur, mund t’ju jap para. Do t’u jap para, ju lutem na lini të shkojmë”, shkruhet në artikullin e gazetës greke. Më tej thuhet se një oficer është munduar të qetësojë futbollistin dhe miqtë e tij, por ka marrë një grusht nga njëri prej të akuzuarve. Jo vetëm kaq, por raportohet se dy prej tre tentuan të largoheshin. /abcnews.al