Vranë shokun, apeli lë në burg dhëndrin e Qazim Sejdinit

schedule11:26 - 25 Gusht, 2020

schedule 11:26 - 25 Gusht, 2020

Apeli i Durrësit ka lënë në burg Sokol Sanxhaktarin dhe Adriano Hajdarin. Ata akuzohen për vrasjen e Florian Lamçjas i cili u qëllua mëngjesin e 30 korrikut me sende të forta e shishe në trup e në kokë.

Dhëndri i ish kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdinit, si dhe 42 vjeçari Hajdari, i njohur me pseudonimin “Luço” e kishin apeluar masën e sigurisë që ju dha Gjykata e Elbasanit.

Abcnews.al mëson se Sanxhaktari dhe Hajdari i kanë qëndruar deklaratës së parë që nuk kanë qenë të vetëdijshëm për shkak se kishin konsumuar alkool.

“Nuk mbajmë mend asgjë nga ngjarja, vetëm më pas kur na doli pija kuptuam çfarë kishte ndodhur,” janë shprehur ata.

Sipas Policisë Sokol Sanxhaktari dhe Adriano Hajdari, ishin në gjendje të dehur kur janë konfliktuar me viktimën me sende të forta. Ky i fundit ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra, ndërsa dy të miqtë e tij u ndaluan nga policia.

Florian Lamçja, i njohur me nofkën “Qorri”, më herët është hetuar për dy plagosje të ndodhura në Elbasan, por në asnjë moment nuk u shpall fajtor.

Ai është proceduar vetëm me akuzën “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.  Lamçja është vëllai i Olti Lamçjas, i dënuar me 24 vite burg për vrasjen e Almir Canit, ngjarje e vitit 2012. /abcnews.al/