Një nga zonat më të bukura për nga natyra dhe resurset e saj është fshati Rabdisht në Peshkopi. Ka një arkitekturë unike dhe ruan hijeshinë e traditës. I gjithë fshati me 100 shtëpi është i ndërtuar me gurë.
Shtëpitë janë të mbuluara me rrasa guri, kalldrëmet janë të ruajtura e të ftojnë ti vizitosh rrugicë për rrugicë. Kjo e ka bërë të shpallet në listëen e 100 fshatrave turistikë të vendit.
Për të shkuar atje duhet të ndjekësh rrugën që shkon nga llixhat drejt shtratit të përroit të Bellovës. Kjo është veshtirësia e vetme, e të mendosh se bëhet fjalë vetëm për 4 km.
Rabdishti është i fshehur mes maleve, në anën veriore shtrihet një shkëmb i madh gipsi, në lindje është bjeshka dhe kufiri me Maqedoninë e Veriut, në jug kufizohet me majën e Velivarit ndërsa në perëndim vetëm 4 km larg shtrihet qyteti i Peshkopisë.
Sabri Shahini ka ngritur bujtinën e parë në këtë zonë. Të parët ishin miqtë e familjarët, e më pas interes shfaqën edhe turistët e huaj. Tre vite më parë ai mori vendimin edhe e ktheu shtëpinë në bujtinë.
“Vendi ynë filloi të vizitohej nga turistë të shumtë të huaj dhe vendas, kjo më bëri që ta kthej në bujtinë”, është shprehur ai.
Ai tregon se fshati ka bukuri të rralla që natyra i ka falur.
“Fillon me llixhat në peshkopi dhe vijon më lart me ujërat e ftohta dhe natyra e veçantë dhe mikëpritja e njerëzve”, thotë ndër të tjera Shahini.
E zonja e shtëpisë në bujtinën Sabriu tregon se turistët janë shumë të kënaqur me gatimet tradicionale dhe prodhimet bio të zonës.
“Ne gatuajmë gjërat bio të zonës, byrek, fasule, fli, mish në furrë gjërat tradicionale të zonës”.
Fitim Goleci është një tjetër ish emigrant që vendosi që shtëpinë ta kthejë në bujtinë. Ai tregon se iniciativën për turizmin e mori nga bukuritë e fshatit dhe turistët.
“Ne jemi një fshat që ka resurse dhe potencial për turizëm. Natyra është ajo që të detyron të shfrytëzosh për qëllime të tilla. Shtëpia ime ka qenë për një kohë të gjtë e pabanueshme pas largimi tonë, por tërheqja ndaj vendit dhe natyrës më bëri të rikthehem sërish”, ka thënë Goleci.
Por ky vit ka qenë vit i mbrapshtë për turizmin malor, ato tregojnë se mezi po mbahen. Pandemia e ka goditur fort këtë lloj turizmi pasi turistët e huaj kanë anuluar të gjitha turet. Fshati është i pasur dhe i bekuar me prodhime natyrale. Aty prodhohen kryesisht patate, misër, grurë, perime dhe zarzavate të shijshme. Nuk mungojnë dhe pemtoret e ndryshme. /abcnews.al