Itali, Liga e Veriut parashtron kushtet për qeverinë: Jo teknokratë

schedule20:26 - 4 Maj, 2018

schedule 20:26 - 4 Maj, 2018

Partia radikale e Italisë, Liga e Veriut ka parashtruar të premten kushtet e saj për formimin e qeverisë, që do të ketë për detyrë hartimin e buxhetit të vitit 2019 dhe përgatitjen e zgjedhjeve të reja. Sidoqoftë, ende nuk është e qartë nëse kundërshtarët e Ligës do të pranojnë kërkesat e saj, përfshirë këtu Lëvizjen 5 Yjet, që kërkon përsëritjen e zgjedhjeve në qershor.

Presidenti Sergio Mattarella ka organizuar ndërkohë një tryezë bisedimesh që do të mbahet të hënën, në përpjekje për të krijuar një koalicion qeverisës. Por në rast dështimi, atij do t’i duhet të kërkojë mbështetje për një qeveri teknokratësh, për të hartuar buxhetin.

Kryetari i Ligës së Veriut, Mateo Salvini tha për gazetarët se një administratë e tillë duhet të marrë parasysh se aleanca e qendrës së djathtë, ku bën pjesë dhe partia e tij, siguroi shumicën e votave më 4 mars.

“Do t’ia themi Matarelës këtë. Në rast të një qeverie të përkohshme, kryeministri duhet të vijë nga radhët e atij krahu që fitoi dhe jo të jetë teknokrat”, tha Salvini. Kreu i radikalëve shtoi se, një ekzekutiv i tillë mund të zgjasë vetëm 6 muaj dhe mes të tjerash do t’i duhet të rishikojë ligjin elektoral të Italisë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!