Më mirë vonë së kurrë, këto janë fjalët që i dalin nga shpirti, të birit të artistit të njohur të traditës Ermir Grezda, pas nderimit të të Atit Qamil Grezdës me titullin “Kalorësi i Urdhrit te Skënderbeut”.
Ky vlerësim vjen 5 vite pas kërkesës së ish nxënësve për nderimin e piktorit të shquar dhe një prej themeluese të Liceut Artistik dhe Akademisë së Arteve të Bukura.
“Ishte e papritur, ishim me pushime në Vlorë familjarisht dhe më marrin në telefon nga Presidenca dhe më thonë…Ishte surprizë e bukur, e këndshme,” thotë Ermir Grezda.
Për të kujtuar një prej piktorëve te traditës të pikturës shqiptare të mesit të shekullit XX, në oborrin e Presidencës u ekspozuan edhe disa vizatime, portrete, nudo dhe peizazhe.
Vepra e Qamil Grezdës shquhet për tërheqjen e veçante për natyrën dhe ndjenjat e larta të atdhedashurisë që shprehen me madhështi ne portretizimin e shumë figurave dhe ngjarjeve historike kombëtare.
Nderimi vjen për kontributin e veçantë në realizimin e veprave të arteve pamore, dukë lënë gjurmë në zhvillimin tradicional të gjinive të peizazhit të portretit më cilësi të lartë artistikë, si dhe për përgatitjen e shumë gjeneratave të artistëve të rinj.
Krahas fondit të pasur të familjes edhe Galeria Kombëtarë e Arteve posedon në fondin e artë 33 vepra të tij. /abcnews.al/