Organizata të ndryshme humanitare kanë apeluar për kushte më të mira për pritjen e refugjatëve në ishullin grek, Lesbo. Ky apel vjen pas denoncimeve të shumta lidhur me strehimin e tyre. Megjithatë, shtimi i tyre në ishull ka zemëruar banorët.
Kushte ç’njerëzore në kampet e pritjes në ishullin grek, Lesbo. Burra, gra dhe fëmijë jetojnë në kushte higjeno-sanitare dramatike. Apele të shumta nga OJQ-të, veçanërisht për të thjeshtësuar procedurat për azilkërkuesit. Ajo që nxiti më shumë polemikat ishte vizita e kryeministrit Aleksis Tsipras.
“Është shumë e vështirë për emigrantët, ashtu si për banorët e Lesbos. Por dua të rikujtoj çfarë ka ndodhur 3 vite më parë kur na vinin 5 mijë persona në ditë”, u shpreh ai.
“Dua të them se me sjellje humane të banorë të Lesbos dhe të ishujve të tjerë, kanë shpëtuar jo vetëm nderin e grekëve, por dhe atë të Europës kur të tjerët krijuan pengesa”.
Frontex, agjencia kufitare e BE-së ka konfirmuar se refugjatët e mbërritur në ishujt greke në veri të Egjeut janë shtuar me 17% muajin e fundit. Shefi i kësaj agjencie ka deklaruar se ky fenomen është shkaktuar nga refugjatët e arratisur nga Irani, Iraku dhe Siria.
Mbërritja e tyre në Lesbo ka shkaktuar pakënaqësi të shumta, ku aktualisht janë të bllokuar 9 mijë emigrantë në bazë të një marrëveshjeje kontraverse të arritur nga BE-ja me Turqinë, vend i cili duhet të pengojë azilkërkuesit që të udhëtojnë për në vende të tjera të Unionit. Numri i lartë i refugjatëve është vendosur në një kamp të mbipopulluar në Moria. Kjo gjë ka zemëruar banorët e ishullit Lesbo, pasi nuk dëshirojnë që vendi i tyre të përfshihet në trazira./abcnews.al