Kokaina në Durrës, si u arrestua në Gjermani Arbër Çekaj

schedule14:45 - 4 Maj, 2018

schedule 14:45 - 4 Maj, 2018

Arrestohet në Gjermani Arbër Çekaj, pronari i kompanisë “Arbri Garden”, e cila kishte porositur sasinë me banane, ku u gjet edhe e 613 kilogramëve kokainë. Kapja e tij është bërë në një provincë pranë Dyseldorfit.

Prangoset në Gjermani Arbër Çekaj, dy muaj pasi u shpall në kërkim ndëkombëtar për sasinë e rekord e kokainës prej 613 kilogramësh të kapur në portin e Durrësit. 

Administrator i kompanisë “Arbri Garden”, u arrestua në një provincë të Dyseldorfit, me identetit të ndryshuar, nga Arbër Çekaj në Arbër Jansen duke marrë mbiemrin e bashkëshortes së tij me origjinë daneze. 

Sipas informacioneve të Policisë së Shtetit, 43-vjeçari nuk bërë rezistencë në momentin e arrestimit, i cili ishte fshehur në një banesë dykatëshe.

Burime nga grupi hetimor pohojnë për ABC News, se dy javë më parë parë kishin shkuar në Berlin të Gjermanisë, oficerë të Krimeve të Rënda, të cilët bashkë me homologët e tyre, bënë të mundur lokalizimin e më pas prangosjen e Arbër Çekaj.

43-vjeçari i bashkohet edhe dy të arrestuarve të tjerë për kokainën e bllokuar në Maminas në fund të Shkurtit, Donald Lushaj dhe shoferi i firmës që transportoi ngarkesën, Armando Pezaku.

Çekaj akuzohet se kishte porositur një ngarkesë me kokainë me vlerë 180 milionë euro, e cili vinte nga Kolumbia. Dyshimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda janë se droga më pas, do të shpërndahej për tregjet e mëdha të Europës qendrore dhe veriore.

Sipas organit të akuzës, ai dyshohet se është pjesë e këtij trafiku të lëndëve narkotike pasi sasia e drogës u gjet në kontienerin që po transportonte bananet në magazinën e tij në Maminas, ku mendohet që është edhe destinacioni final i ngarkesës.

Droga ishte e fshehur në një kontenier me fund të dyfishtë që ishte mbushur me banane dhe kishte destinacion tregun europian.

Këtë të premte, avokatët e të prangosurve bënë rekurs në Gjykatën e Lartë, për ndryshimin e masës së sigurisë, pasi ata janë thjesht punëtorë dhe jo porositës të ngarkesës me drogë që vinte nga Kolumbia./abcnews.al