Dorëzimi i mandatit nga Tahiri, Basha: Ka ndikuar tek hetimi

schedule13:49 - 4 Maj, 2018

schedule 13:49 - 4 Maj, 2018

Një ditë pas dorëheqjes së deputetit Saimir Tahiri, kryetari i opozitës Lulzim Basha, i shoqëruar nga deputetët e komisionit hetimor parlamentar të kësaj force politike mbi veprimtarinë e ish-ministrit të Brendshëm gjatë mandatit 4-vjeçar në krye të forcave të rendit, iu kthye refrenit të vjetër.

“Vetëm dorëheqja dhe largimi i Edi Ramës, janë zgjidhja. Nuk ka Bashkim Europian me qeveri mafioze që vepron me kodet e mafias. Prokuroria e kapur nuk vepron dot. Edi Rama është provuar tashmë si pengesa e vetme në Bashkimin Europian. Ndaj zgjidhja e vetme është largimi i tij, një qeveri antimafia dhe organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.

I hapur për gjithçka, sa kohë largohet kryeministri dhe çdo ministër i lidhur me krimin dhe mafian shprehet kreu opozitar Basha. Ndërsa fitoren me kalin e betejës së fushatës opozitare, vërtetimin e implikimit të Saimir Tahirit në trafik ndërkombëtar droge, ia beson më shumë komisionit të drejtuar nga nënkryetari demokrat Edi Paloka, se organit të akuzës të kontrolluar nga Edi Rama, sipas tij.

“Dokumentet dhe dëshmitë do të provojnë se në këtë skemë Saimir Tahiri është një gur shahu, një levë, një mashë që Edi Rama e përdori për të kanabizuar Shqipërinë. Hetimi do të provojë se operacioni vazhdon, siç vazhdon droga, skafet me tonelatat e kanabisit, që largohen pa iu hyrë gjemb në këmbë, mëngjes për mëngjes e darkë për darkë. drejtësia e kapur dhe e shantazhuar dhe Prokuroria nën kontrollin e plotë të Edi Ramës, nuk e zgjidhin dhe nuk kanë për ta zgjidhur dot këtë problem jetik për Shqipërinë dhe shqiptarët. Më kot t’ju kërkohet atyre, ajo që duhet dhe që i hap rrugë drejtësisë, është largimi i Edi Ramës”.

Gur shahu, thërret Lulzim Basha për Tahirin e dorëhequr 6 muaj pas kërkesës së prokurorisë për arrest, sot me një kryeprokurore të re, të kontrolluar gjithashtu nga e njëjta dorë, sipas tij.

“Që kur Edi Rama e mbrojti nga kërkesa për arrest, Saimir Tahiri e shfrytëzoi imunitetin për atë që i duhej, për të shkatërruar provat kyçe. Sot të gjithë e kanë të qartë, se përse Edi Rama nxitoi kaq shumë për të kapur Prokurorin e Përgjithshëm. Se përse Edi Ramës i duhej një prokuror pa vetting. Sepse vetëm kështu mund të garantojë që Saimir Tahiri nuk do diltë para drejtësisë”.

Vetëm kështu mund të ekstradonte dëshmitarin kyç të çështjes, Nazer Seiti në shkelje të ligjeve shqiptare, thekson Basha. Tani, pas shkatërrimit të provave dhe nën presionin e drejtpërdrejt të Gjermanisë dhe faktorit ndërkombëtar, Edi Rama hedh topin në portën e prokurorisë dhe vetë ngre duart lart, duke vërtetuar edhe njëherë se ai është pengesa e vetme e vendit në rrugën drejt Bashkimit Europian, thekson kryedemokrati Lulzim Basha./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!