Hans Flick, trajneri i Bayern Munich, i është gëzuar kualifikimit në finalen e Champions League, ndërkohë që ka analizuar përballjen e fituar kundër Lyon me rezultatin 3-0. Rezultati është i gënjeshtërt, pasi francezët bënë një lojë të mirë dhe mund të kishin shënuar të parët.
“E dinim se do te ishte e vështirë, pasi ata vinin pas paraqitjeve shumë të mira kundër Manchester City dhe Juventus. Lyon është një ekip shumë i fortë në aspektin taktik dhe na hapi probleme. E dinim se duhet të mbronim mirë dhe të mos e humbnim topin lehtë, por na ndodhi që e humbëm”, tha Flick për “Sky Sport”.
Më pas tekniku gjerman foli edhe për finalen e së dielës: “PSG është një ekip i shkëlqyer dhe do analizojmë disa gjëra. E dimë që ata kanë lojtarë shumë të shpejtë. Do shikojmë të organizojmë mbrojtjen, por e dimë që forca jonë më e madhe është vënia në presion e kundërshtarit.
Thomas Tuchel është duke bërë një punë shumë të mirë me francezët. E kam vizituar një herë dhe e kam parë që po punon mirë. Tani le të mendojmë për ndeshjen e së dielës”. Robert Lewandowski shënoi dje kundër Lyon dhe shkoi në kuotën e 15 golave, dy gola larg rekordit të Ronaldos në Champions.
Flick thekson se polaku nuk është i fiksuar me rekordin: “Lewandowski nuk po mendon për rekordin e Ronaldos, ai është i kënaqur me atë që bën për skuadrën. Ai punon shumë për ekipin dhe kjo është shumë e rëndësishme. Lewa po punon mirë edhe në aspektin mbrojtës. Për mua ai është sulmuesi më i mirë në botë dhe shpresoj që të shënojë edhe kundër PSG-së”. /abcnews.al