Këshillat e Igli Tares dhe ëndrra e madhe, rrëfehet laciali Sergio Kalaj

schedule11:57 - 17 Gusht, 2020

schedule 11:57 - 17 Gusht, 2020

Sergio Kalaj është nga futbollistët më premtues të brezit të tij. Ai luan si qendërmbrojtës dhe aktualisht është pjesë e Kombëtares U-21, ku ka bërë paraqitje të mira dhe pret të bëjë hapin e madh në karrierë. Qoftë me Kombëtaren, apo edhe me klubin.

Shtatlarti i rritur në Itali është pjesë e ekipit të moshave të Lazios, ndërkohë që është grumbulluar edhe në disa takime me ekipin e parë, por duhet të presë ende për debutimin në skenën e madhe të futbollit italian, Serie A.

Në intervistën për rubrikën “Talenti Shqiptar” në fshf.org, Kalaj tregon pasionin e tij për futbollin dhe emocionet që ka përjetuar kur ka debutuar me fanellën kuqezi. Gjithashtu, mbrojtësi flet për objektivat që ka në të ardhmen dhe raportet në ekipin kombëtar U-21.

 

– Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll?
– Dashurinë e madhe për futbollin ma ka trashëguar im atë. Ai gjithmonë ka dashur të bëhej futbollist, por jeta nuk ia dha mundësinë. Që kur isha i vogël më ka folur për futbollin dhe dëshira ime e madhe, sa herë prekja topin me këmbë ishte që të bëhesha futbollist profesionist, jo vetëm për vete, por edhe për të, për t’i plotësuar në një farë mënyrë ëndrrën që ai nuk arriti ta realizojë dot vetë.

– Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?
– Siç e thashë, im atë më ka afruar me këtë sport. Falë tij, unë jam ky që jam sot, pasi që kur isha i vogël, ai jo vetëm më fliste, por më ndiqte kudo ku unë stërvitesha dhe ka besuar shumë tek unë.

– Si është marrëdhënia jote me grupin dhe trajnerin?
– Raporti me ekipin kombëtar është i shkëlqyer, si me shokët e skuadrës ashtu edhe me trajnerin, i cili më jep gjithmonë këshilla që të përmirësohem. Edhe tek ekipi i Lazios, si skuadër kemi një marrëdhënie shumë të mirë dhe ndjehem si në shtëpinë time. Në fakt, me ngjyrat bardhekaltër kam një lidhje të veçantë, pasi e gjithë familja ime dhe kushërinjtë e mi mbështesin ekipin lacial.

 

– Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga kombëtarja?
– Kur më erdhi ftesa për të qenë pjesë e kombëtares, t’ju them të drejtën nuk e besoja dot. Ishte një ditë shumë e veçantë për mua. Pastaj, debutimi me kombëtaren ishte një moment tjetër i veçantë dhe në fakt e konsideroj si një moment krenarie, të cilin nuk do ta harroj kurrë në jetë.

– I rishikon ndeshjet e tua pasi luan? Dhe nëse po, çfarë i thua vetes?
– Shoh çdo ndeshje që luaj, si të kombëtares, ashtu edhe të klubit, pasi e shoh të nevojshme. Për moshën që kam, mendoj se duhet të shikoj çdo ndeshje, për t’u përmirësuar në ndeshjet e ardhshme.

– Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani?
– Nuk mund të them se kam vetëm një episod apo moment të lumtur, pasi unë konsideroj si moment të lumtur çdo herë që grumbullohem me kombëtaren dhe mbaj veshur fanellën kuqezi. Gjithashtu, edhe kur grumbullohem me skuadrën e parë te Lazio, jam pafundësisht i lumtur, pasi mësoj shumë nga ata.

 

– Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?
– Më shumë se sa unë, familja ime ka sakrifikuar për mua, pasi kanë bërë gjithçka që unë të jem këtu ku jam sot. Shpresoj që një ditë t’i bëj krenar dhe t’i kthej gjithçka përmes futbollit.

– Çfarë synimi ke për të ardhmen?
– Dua që të përmirësohem çdo ditë e më shumë në mënyrë që të bëhem një futbollist sa më i mirë. Ëndrra më e madhe që kam është të bëhem titullar me ekipin e Lazios dhe me kombëtaren shqiptare.

– Cila është këshilla më e vyer që ke marrë dhe nga kush?
– Kam marrë shumë këshilla në fakt, që nga lojtarët e skuadrës së parë tek ekipi i Lazios, ashtu edhe nga trajnerët, e Lazios dhe Shqipërisë. Nuk mund të lë pa përmendur edhe këshillat e çmuara që kam marrë nga ish-futbollisti i kombëtares sonë, Igli Tare.

– Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale?
– Idhulli im është Lorik Cana. E kam admiruar gjithnjë për lojën që ka bërë dhe kam pasur edhe fatin ta njoh jashtë fushe. /fshf.org