Stephan Lichtsteiner zyrtarizoi tërheqjen nga futbolli tre ditë më parë. 36-vjeçari, i cili numëron 108 ndeshje dhe 8 gola me Zvicrën, kombëtare ku mbajti edhe shiritin e kapitenit për një kohë të gjatë, ka luajtur me ekipe si Grasshopper, Lazio, Juventus, Arsenal dhe Augsburg.
Vitet më të bukura i kaloi në Torinon bardhezi, aty ku fitoi 14 trofe dhe doli dy herë në finalen e Champions League. Ish-mbrojtësi i djathtë, është një emër i dashur për tifozët shqiptarë që prej 22 qershorit të vitit 2018.
Zvicra përballej me Serbinë në Botërorin e Rusisë, një duel që mori trajtën e një beteje Shqipëri-Serbi, duke llogaritur që me helvetët aktivizoheshin lojtarë si Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Blerim Dzemaili, Valon Behrami.
Dy të parët shënuan dy gola të paharrueshëm në pjesën e dytë, përmbysën avantazhin e kundërshtarëve dhe Zvicra fitoi 2-1, një rezultat që solli gëzim dhe lumturi te çdo shqiptar.
Festës me simbolin e shqiponjës para tifozëve serbë që bënë Xhaka dhe Shaqiri, iu bashkua edhe Lichtsteiner, i cili i rikthehet ndeshjes plot emocione dhe atij momenti në një prononcim për Blick.
“Solidarizohem gjithmonë me shokët e skuadrës, ky është shkaku pse festova me simbolin e shqiponjës. Ndeshja me Serbinë ishte më ekstremja në aspektin emocional, sepse kishim shumë futbollistë shqiptarë në ekip. Pastaj edhe goli i Shaqirit në minutën e 90, ishte një çmenduri“, kujton Lichtsteiner. /abcnews.al