Trafiku i kokainës në Spanjë, zbulohen emrat e shqiptarëve të arrestuar

schedule09:28 - 1 Maj, 2018

schedule 09:28 - 1 Maj, 2018

Julian Deblini dhe Dritan Gradica janë dy shqiptarët e arrestuar të hënën në Madrid, pasi drejtonin rrjetin mafioz të trafikut ndërkombëtar të kokainës nga Kolumbia për në Spanjë. Hetuesit kanë zbuluar se ata kanë marrë pjesë në një luftë në Ballkan dhe se kishin formim ushtarak.

Mediat spanjolle kanë zbuluar identitetet e dy shqiptarëve të arrestuar në Madrid si drejtues të një grupi mafioz të trafikut të kokainës. Ata janë Julian Deblini dhe Dritan Gradica. Po ashtu, mediat spanjolle kanë publikuar edhe emrat e tre personave të tjerë, dy spanjollë dhe një kolumbian, të arrestuar një ditë më parë gjatë megaoperacionit të policisë spanjolle, Europol-it, DEA-s amerikane dhe agjentëve të drejtorisë anti-drogë të Kolumbisë.

Të arrestuarit e tjerë janë identifikuar si : Lelio Nevardo Ávila Santana nga Kolumbia, Rubén Paz Ciprian Muñoz dhe Rubén del Castillo de la Torre, të dy nga Spanja. Gjatë operacionit u sekuestruan ndër të tjera 1 ton kokainë dhe 1.5 milionë euro dhe disa armë.

Hetuesit njoftuan se shqiptarët ishin krerët e organizatës kriminale, të cilët kishin krijuar një portë hyrjeje në Spanjë për sasitë e mëdha të kokainës. Më të mbërritur sasitë e mëdha të kokainës, Deblini dhe Gradica punësonin organizata të vogla kriminale në Spanjë për shpërndarjen e drogës.

Ndërkaq, policia e Kolumbisë njofton se dy shqiptarët kishin marrë pjesë në një luftë ballkanike dhe kishin formim ushtarak si dhe ishin të gatshëm që të ushtronin dhunë. Hetimet ndaj kësaj bande mafioze kishin nisur nëntorin e kaluar dhe kanë zgjatur deri më tani për të mësuar rolet që kishin 5 pjestarët kryesorë. Aktualisht në Kolumbi po zhvillohen disa hetime për të përcaktuar pjesëmarrjen e zyrtarëve dhe madje edhe të anëtarëve të forcave të sigurisë në lejimin e fluturimeve të avionëve çarter të ngarkuar me drogë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!