Prokuroria e Shkodrës po heton për një sipërfaqe toke prej 58 mijë metra katrorë në pikën turistike të Razmës, tokë që aktualisht është nën sekuestro. Kjo pronë rezulton të jetë blerë dhe shitur disa herë, dhe shumë blerës nuk po pajisen dot me çertifikatën e tokës.
Janë 56 blerës në Razmë të Shkodrës, të cilët nuk mund të çertifikojnë tokën. Tentativat pa rezultat i çuan ata deri në dyert e policisë dhe të prokurorisë. Kjo e fundit nisi hetimet për transaksione të dyshimta në shitjen e pronës në zonën turistike. Ata janë pronarët e rinj të një sipërfaqeje toke prej 58 mijë metra katrorë, e cila u është shitur nga dy pronarët e vetëm që e kishin fituar përmes aktit të kthim-kompensimit të pronarëve.
Në këtë sipërfaqe ka dyshime se 25000 m2 tokë e llojit pyll u mor padrejtësisht. Pak ditë më parë gjykata e Shkodrës, pas kërkesës së prokurorisë së rrethit, vendosi sekuestro preventive për rreth 25 mije metra katrorë. Hetimi i krimit ekonomiko-financiar kishte filluar në mars 2016, ndërsa vendimi i gjykatës u dha më 25 prill 2018. Sipas organit të akuzës së Shkodrës, kjo sipërfaqe ndodhet ende e regjistruar në favor të përfituesve nga vendimi i Komisionit të Kthimit dhe Kompesimit të Pronave ish-pronarëve. Hetimet treguan se vendimet e këtij komisioni në Malësi të Madhe, me anë të të cilëve janë kthyer 53 906 m2 tokë e llojit pyll në Razëm, janë të falsifikuara. Vazhdojnë hetimet për funksionarët publikë që kanë dhënë këto vendime si dhe përfituesit e ketyre pasurive në mënyrë të paligjshme për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumentave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Aktualisht nga ana e prokurorisë po merren ne pyetje te gjithë blerësit e parcelave të ndryshme në Razem si dhe po hetohen procedurat e ndjekura nga ana tyre. /abcnews.al