Kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të skulptorit Arben Bajo.
Bajo nuk mundi të fitojë betejën me COVID-19, ndërsa mëngjesin e sotëm u njoftua edhe lajmi për ndarjen e tij nga jeta.
Lexo edhe: “Mëngjes i trishtë!” Humb jetën nga COVID-19 skulptori i njohur Arben Bajo
“Një humbje e madhe kjo për ata që e njohën djalin fisnik, duarartë e fjalëpakë, po edhe për artin bashkëkohor shqiptar po ashtu, që humbi sot një prej bijve të vet më premtues e më të përkushtuar”, shkruan Rama.
Statusi:
Çfarë trishtimi!
Ben Bajo nuk do t’i hapë më sytë e as sytë e admiruesve të skulpturës, nuk do të shohin më krijesa të duarve të tij!
Lexo edhe: Humbi jetën nga COVID-19, Margariti: Me shumë gjasë të ka mbetur një punë e papërfunduar
Ai nuk ia doli dot t’i mbijetojë virusit vdekjeprurës, që vazhdon të marrë jetë njerëzish nga kjo botë, duke sfiduar përparimin marramendës të shkencës e të mjekësisë, me kërcënimin e përsëritjes së kasaphanës së vitit 1918, kur Gripi Spanjoll gllabëroi dhjetra miliona njerëz.
Beni ishte ende shumë i ri dhe arti i tij ishte ende në zhvillimin e vrullshëm drejt njehsimit me vetë artistin, çka vetvetishëm reflektonte akoma influencën e disa mjeshtrave të mëdhenj, në ndërkohën që shembëlltyrat e bronxta po merrnin dora-dorës hijen e pangatërrueshme të individualitetit të skulptorit të talentuar.
Një humbje e madhe kjo për ata që e njohën djalin fisnik, duarartë e fjalëpakë, po edhe për artin bashkëkohor shqiptar po ashtu, që humbi sot një prej bijve të vet më premtues e më të përkushtuar.
Eh, jeta është kjo, dihet gjithnjë si mbaron po s’dihet asnjëherë kur mbaron rrugëtimi ynë në këtë botë, ku disa e kanë dhuntinë e fatin të lenë pas diçka që i mbijeton vdekjes, veprën e tyre.
Artistët hyjnë tek këta disa dhe kur janë prej vërteti, siç ishte Ben Bajo, kujtimi i tyre pavdekësohet nga prania pa kohë e veprave të tyre mes njerëzve që vijnë e shkojnë, në ndërkohën pa kufi që veprat mbeten.
Ngushëllimet më të ndjera të dashurve e të afërmve të Benit, fjalët përballë vdekjes s’kanë asnjë fuqi, po asgjë tjetër veç fjalëve vdekja nuk le për dëshmitarët e saj.