Alessandro Del Piero e pranon hapur se nuk e priste që Andrea Pirlo të emërohej trajner i Juventusit. Gjithsesi i uron shumë fat dhe mendon se mund të ecë shumë, madje edhe më mirë se Zinedine Zidane që ka fituar gjithçka me Real Madrid.
“Të jem i sinqertë, nuk do të kisha vendosur një euro bast se ai do të bëhej trajneri. Është një surprizë edhe për mua. Isha i kënaqur që mori rolin e trajnerit tek ekipi U23 dhe mendova se ishte lëvizja e duhur për të, por ai anashkaloi çdo gjë dhe tani mund t’i uroj vetëm fat”, tha fillimisht Del Piero për “Sky Sport Italia”.
“Mendoj se perceptimi i përgjithshëm i ish-lojtarëve që bëhen trajnerë po ndryshon. Më parë në Itali kishte nevojë të kaloje një proces të gjatë në ligat e ulëta për të mësuar, por vitet e fundit kemi parë Pippo dhe Simone Inzaghi të kenë sukses, shto këtu edhe Gattuson. Ata ishin lojtarë të shkëlqyer dhe e nisën me skuadra të mira”.
“Pirlo në hapat e Zidane? Krahasimi nuk është i drejtë, për shkak se Zizou kishte punuar me të rinjtë e Realit dhe më pas ishte asistenti i Carlo Ancelotti. Gjithsesi Pirlo ka gjithçka për të bërë edhe më mirë se Zidane. Ai e njeh klubin, lojtarët dhe drejtuesit, ndaj edhe ishin të qartë në vendimin që morën”, mbyll Del Piero. /abcnews.al