Katër alternativa për trajnerin e ri të Juves, një tjetër largim pas Sarrit?

schedule16:19 - 8 Gusht, 2020

schedule 16:19 - 8 Gusht, 2020

Eliminimi ndaj Lyonit ka sjellë trishtim të madh në kampin e Juventusit dhe fundin e aventurës në stolin bardhezi për Maurizio Sarrin. Drejtuesit vendosën të shkarkojnë trajnerin ditën e sotme dhe katër janë alternativat për ta zëvendësuar.

Zinedine Zidane është dëshira e madhe dhe i preferuari i tifozëve. Francezi e njeh mirë ambientin pasi ka luajtur si futbollist me kampionët e Italisë, por duhet shikuar se çfarë do të ndodhë me Real Madrid.

Mauricio Pochettino dhe Simone Inzaghi janë dy opsione të tjera. Drejtuesit i pëlqejnë, argjentinasi është i lirë, ndërsa trajneri italian ndodhet nën kontratë me Lazion. Emri i fundit? Max Allegri. Mediat italiane nuk e përjashtojnë një rikthim të bujshëm, një vit pasi i dha fund aventurës 5-vjeçare me Juventusin.

Sarri nuk pritet të jetë i vetmi që largohet nga “Zonja e Vjetër”. Të njëjtin fat mund të ketë edhe Fabio Paratici, drejtori sportiv i Juventusit. “Mosha mesatare e ekipit është e madhe dhe do e vlerësojmë diçka të tillë në të ardhmen“, u shpreh presidenti Agnelli.

Fjalë që mund të lexohen si kritika ndaj merkatos së drejtuesit, vendit e të cilit mund ta zërë Federico Cherubini, zëvendësi i tij. Gjithsesi, klubi italian ka mohuar shkarkimin e Paraticit. Për momentin, pasi pozitat e tij janë dobësuar shumë dhe ndryshime të tjera priten në kampin e kampionëve të Italisë. /abcnews.al