Shumë zanate në vendin tonë po shkojnë drejt zhdukjes. I tillë është edhe ai i rregullimit të instrumentave muzikore. Në Liceun Artistik në Tiranë sektori i riparimit është mbyllur, ndërkohë që në kryeqytet ka vetëm një person të licensuar për këtë punë.
Mjeshtrin e gjejmë duke restauruar një benxho rreth 100 vjeçare
“Origjina e këtij është nga Irlanda, por e përdorin shumë amerikanët”.
Astrit Tafaj prej 50 vitesh rregullon dhe ndërton instrumenta muzikore.
Në Tirane është i vetmi person i licensuar për këtë punë. Zanatin na tregon se e ka trashëguar nga i ati.
“E kam filluar që 15 vjeçare, sepse im ate ka qene mjeshteri i parë i rregullimit te instrumentave muzikore. Ka studiuar ne Hungari për këtë profesion. Rrija pas babait dhe mësova zanatin që më pëlqente shumë”.
Por për të shkuar më tej i duhej të studionte muzikë.
“Kam studiuar në Liceun e natës në atë kohë, se ishte shumë e rëndësishme të njihja notat, frekuencat”.
Më vonë u specializua në Zvicër për riparimin e pianove. Prej 30 vitesh zantin e ushtroi aty ku dhe studioi, në liceun artistik në Tiranë.
Sectori i riparimit në lice u mbyll dhe Astriti iu desh të vetëpunësohej, ndonëse më së shumti edhe sot ata që kërkojnë shërbimet e tij janë nxënësit dhe pedagogët e liceut.
“Nnuk i riparojnë fare, bëjnë tendera, apo u mbledhin lekë kalamajve. Nuk ka interes të madh se nuk ka shumë njerëz që i bien instrumentave. Nëse unë do kisha pasur punë do kisha pasur ehde ndonjë ndihmës”.
Ai vetë thotë se do ta vijojë këtë zanat derisa të ketë forcë, ndërkohë i vjen keq se po shkon drejt zhdukjes.
“Është zanat që nuk të sjell të ardhura të mëdha, nuk e justifikon mundin, por është pasioni im, nostalgjia ime, me këtë po mbaj shtëpinë. Rinia s’ka qejf të bëjë këtë zanat se duan të punojnë pak e të fitojnë shumë, se kjo është të punosh shumë e të fitosh pak. Nuk mësohet me dy-tre vjet ky zanat. Nuk ka interes për muzikën, se po të kishte interes, do kishte punë edhe për ne. Shteti duhet të hapë klasa muzike si jashtë”.
Merak e ka që nuk ia mëesoi dikujt. Dëshirën për muziken e trashëgoi tek vajzat, ndërsa kjo punë thotë se nuk është për to.
“Vajza ime ka studiuar 12 vjet piano. Të gjithë në familje i bien kitarës e firzmonikës. Familja jonë ka qenë e lidhur me muzikën, vajzat e kanë vështirë ta mësojnë, sepse duket sikur është më shumë punë burrash”. /abcnews.al