Kremlini: Perëndimi dëshiron që të ndajë Sirinë

schedule12:37 - 29 Prill, 2018

schedule 12:37 - 29 Prill, 2018

Rusia ka akuzuar vendet perëndimore duke thënë se dëshirojnë të ndajnë territorin e Sirisë. Ministri I Jashtëm Lavrov, thotë se Moska, Ankaraja dhe Teherani po punojnë për të ruajtur integritetin e Sirisë.

Rusia, Turqia dhe Irani dëshirojnë të “ruajnë unitetin e Sirisë”, ndërsa deklaratat e Uashingtonit, Londrës dhe Parisit për zgjidhjen e krizës “janë vetëm fjalë” dhe fshehin qëllimin për të “reformuar Lindjen e Mesme dhe për të ndarë Sirinë në 3 pjesë”. Këtë e deklaroi ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov në fund të samitit me homologët e Ankarasë dhe Teheranin, kombet garantuese të formatit Astana. Kjo është raportuar nga agjencia e lajmeve Interfax.

Ministrat e jashtëm të Rusisë, Iranit dhe Turqisë janë të vendosur të marrin masa urgjente në kuadrin e procesit të paqes në Astana, tha ministri i jashtëm rus në fund të takimit me kolegët e tij Mevlut Chavusoglu dhe Mohammad Javad Zarif në Moskë.

“Ne vendosëm të mblidheshim për të diskutuar situatën jo të thjeshtë në Siri”,shtoi Lavrov. “Ne besojmë se është thelbësore që urgjentisht të biem dakord për masat kolektive brenda kuadrit të formatit të Astanës, të cilin e krijuam më shumë se një vit më parë, në mënyrë që ta shtyjmë Sirinë drejt paqes”, përfundoi kryediplomati rus sipas asaj që raporton Tass.

Ndërkohë, këtyre deklaratave, perëndimi u është përgjigjur duke thënë se mbështesin plotësisht integritetin territorial të Sirisë. Megjithatë ata nuk shohin një të ardhme të sigurtë të vendit me një president si Bashar al-Assad. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!