E ndaluar me ligj, kapen 60 kg dateri në Kakavijë

schedule14:03 - 6 Gusht, 2020

schedule 14:03 - 6 Gusht, 2020

Task Forca e Inspektoriatit të Peshkimit pas një hetimi proaktiv bëri të mundur kapjen e 60 kg dateri, që po hynin kontrabandë nga Greqia përmes pikës së kalimit kufitar të Kakavijës.

Mësohet se dateri ishte futur në kuti metalike, të cilat më pas ishin fshehur në kuti të tjera kartoni dhe po transportoheshin me një furgon pasagjerësh.

Ligji “Për Peshkimin” ndalon peshkimin, mbajtjen në bord, tranzitimin në barkë dhe anije, zbarkimin e qëllimtë dhe hedhjen në treg ose për konsum, në çdo periudhë, zonë e me çfarëdo lloj mjeti a pajisjeje të gurëshpuesit (dateri) – Lithophaga Lithophaga.

Sakaq, policia e Shtetit njofton se po heton më tej për të mësuar porositësin e kësaj sasie dateri dhe për të vendosur masën administrative sipas parashikimit ligjor.

Kontrollet do të vazhdojnë të shtrira edhe ndaj restoranteve ose dyqaneve që e tregtojnë, të cilët rrezikojnë mbylljen nga 6 muaj deri përfundimisht. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën apel që kjo specie e ndaluar me ligj të mos peshkohet apo tregtohet.