Amir Rrahmani zhvilloi një sezon fantastik te Hellas Verona. Kapiteni i Kosovës u përshtat që në vitin e parë me Serie A dhe paraqitjet pozitive i siguruan transferimin te Napoli, klub për të cilin firmosi deri në verën e vitit 2024.
36 ndeshje në kampionat dhe një në Kupën e Italisë luajti 26-vjeçari te Hellas Verona, ekip ku formoi një dyshë solide në mbrojtje me Marash Kumbullën. Rrahmani ka bërë një postim në faqen e tij në rrjetet sociale, aty ku ndër të tjera shkuan:
“Një vit i mrekullueshëm, një vit i paharrueshëm, viti im i parë në Itali, ku u rrita aq shumë si lojtar futbolli dhe si burrë. Po lë Veronën dhe Hellas, por gjithmonë do t’i jem mirënjohës klubit, trajnerit Juric, shokëve të skuadrës dhe fansave të mrekullueshëm verdheblu.
Më keni mbështetur dhe më keni dashur që nga dita e parë deri në të fundit, edhe kur e dinin se e ardhmja ime do të ishte larg Veronës. Një fjalë të fundit: FALEMINDERIT!!!”, përfundon Rrahmani. /abcnews.al