Qeveria njoftoi rritjen e tavanit të Tatimit për Fitimin nga 80 milionë lekë të vjetra të cilët paguajnë aktualisht 5 për qind tatim-fitim, në 100 milionë lekë të vjetra. Në takimin që kryeministri Edi Rama zhvilloi me përfaqësues të biznesit të vogël e të mesëm u tha atyre se kjo lëvizje bëhet që biznesi të mos gënjejë në deklarimet.
“Erdha këtu për TVSH dhe për të diskutuar lidhur me gënjeshtrat dhe me si të dalim nga bota e gënjeshtrave duke ndihmuar biznesin e vogël të relaksohet lidhur me tavanin.”
Por kryeministrit Edi Rama duket se gënjeshtarët i dolën edhe në këtë tryezë diskutimi me përfaqësues të biznesit të vogël e të mesëm.
Nasto: TVSH-në e kemi kundërshtuar vendosjen e tavanit, ashtu siç kundërshtuam bashkë kalimin nga 8 mln në 5 mln në kohën e Berishës. Gati 60 për qind e biznesit që u fut në atë fashë ka falimentuar sot.
Edi Rama: Nuk është kështu, por vazhdo.
Nasto: Nga 2014 deri në 2017 janë mbyllur 82 mijë biznese.
Rama: Ku i gjeni këto shifra?
Nasto: Të marra nga QKR, është shumë e saktë.
Kryeministri Rama: Është e pasaktë, por vazhdo.
Albert Nasto: Shkaku janë taksat e larta, jo vetëm të qeverisë qendrore, por edhe të bashkive që kanë rritur taksat nga 2-3 herë.
Kryetari i shoqatës së biznesit të vogël i rendit kryeministrit premtimet që nuk u mbajtën sipas tij.
“Çmimi i energjisë; na u premtua që do të ulej, por u rrit nga 142 lek në 182 lekë sot që paguan biznesi. Karburanti, mos të flasim për cilësinë, është më i shtrenjti. Këto dy kollona janë kryesoret për një ekonomi. 43 për qind ka rënë fuqia blerëse sipas nesh. Korrupsioni është bërë një gangrenë e madhe. Kontrollet e shpeshta, gjobat e majme, ka pasur raste një biznes në 2015 është kontrolluar 9 herë në ditë dhe disa inspektorë, ka 16 lloje drejtorish që kontrollojnë”.
Por kryeministri Rama e kundërtshon duke paraqitur argumentat e tij.
“Këtu jemi në botën e fantazive, sepse sot ne kemi shumë më tepër biznese se sa kishim para 4 viteve. Sot kemi më shumë konsum. Nuk është e vërtetë që ka rënë fuqia blerëse”.
Qeveria i njoftoi për rritjen e tavanit të Tatimit për Fitimin nga 8 milionë lekë, të cilët paguajnë aktualisht 5 për qind tatim-fitim, në 10 milionë lekë duke paguar 15 përqind. Kjo bëhet që biznesi të mos gënjejë në deklarime tha kryeministri Rama.
“Këtë çështje ne mendojmë se ka ardhur koha ta adresojmë si duhet, në mënyrë që biznesi i vogël mos të jetë i detyruar të gënjejë. Tavnai të rritet mbi 100 mln dhe me rritjen e tavanit mbi 100 mln ju nga gënjeshtar të ktheheni në aleatë të shtetit për të realizuar qëllimin e kësaj lëvizje”.
Nëse biznesi do të dalë përsëri të protestojë në lidhje me uljen e pragut të TVSH-së, Kryeministri ia tha paraprakisht se e cilëson të paargumentuar dhe të nxitur politikisht./abcnews.al