Avokati personal i presidentit Donald Trump, Michael Cohen ka deklaruar se do të zgjedhë të drejtën kushtetuese për të qëndruar i heshtur në procesin gjyqësor civil, të hapur nga aktorja e filmave për të rritur Stormy Daniels. Në media lëvizja e paralajmëruar e përfaqësuesit ligjor të kreut të shtetit është komentuar si një përpjekje për të vonuar padinë e zonjës Daniels, që pretendon se ka kryer marrëdhënie seksuale me Trump në vitin 2006. Aktorja po përpiqet t’i japë fund një marrëveshjeje që nuk është përmbyllur në lidhje me aferën në fjalë. Nga ana e tij, Cohen ka argumentuar se çdo deklaratë që mund të bëjë në gjykatë mund të ketë efekt në një hetim penal që po kryhet paralelisht mbi bizneset e tij. Avokatët e zotit Cohen dhe të presidentit Trump kanë kërkuar që çështja e zonjës Daniels të vihet në pritje për 90 ditë. /abcnews.al