Gazetari dhe shkrimtari i njohur me origjinë nga Kosova Musli Berisha, ka ndërruar jetë sot, në Qendrën Klinike dhe Universitare të Prishtinës, ku ishte shtruar pas infektimit me Covid-19.
Lajmi është bërë i ditur nga televizioni Tema në Ferizaj ku Berisha punonte si kryeredaktor.
“Pas një beteje dyjavore me COVID-19, sot në Qendrën Klinike dhe Universitare të Prishtinës vdiq gazetari dhe shkrimtari ferizajas Musli Berisha (60).
Musli Berisha e nisi karrierën e tij të gazetarisë në vitin 1984 -1987 në Radio Ferizaj, për ta vazhduar atë menjëherë pas çlirimit të Kosovës sërish në Radio Ferizaj 1999-2001, si dhe duke raportuar për agjencinë e lajmeve Kosovalive.
Në vitin 2001 Musli Berisha iu bashkua stafit të Radio Tema në cilësinë e kryeredaktorit të programit informativ të radios, e pastaj edhe të TV TEMA, ku dha kontribut të çmueshëm për ndërtimin e programit informativ të këtij mediumi deri në vitin 2014.
Atë vit Musli Berisha punësohet në Komunën e Ferizajt, ndërsa veprimtarinë profesionale e vazhdon me botimin e disa veprave letrare nën pseudonimin artistik Mumir Ferko”, thuhet në njoftim./abcnews.al


