Milani mposhti 3-0 Cagliarin mbrëmjen e kaluar dhe e mbylli në mënyrën e duhur këtë sezon në Serie A. Kuqezinjtë e Stefano Piolit kanë shkëlqyer që prej momentit që rinisi kampionati, duke regjistruar 9 fitore dhe 3 barazime.
Trajneri thur elozhe për djemtë e tij në deklaratën e dhënë pas ndeshjes dhe ndalet edhe te Zlatan Ibrahimovic. Suedezi, i cili u rikthye në Milanello në janar, gjeti golin e dhjetë në kampionat për këtë sezon kundër ekipit sard.
“Djemtë janë treguar të jashtëzakonshëm, kemi zhvilluar një fazë të dytë fantastike dhe kemi dhuruar paraqitje shumë të mira. Përtej rezultateve pozitive, e rëndësishme ka qenë krijimi i mentalitetit të duhur, që është baza për një të ardhme edhe më të mirë.
Kemi fituar besim dhe bindje, e mbyllëm sezonin në mënyrën e duhur. Dëshironim t’i evitonim ndeshjet paraeliminatore në Europa League, por do t’i luajmë ato me bindjen e duhur. Tani duhet të limitojmë diferencën me vendet e para.
Ibrahimovic? Ka shënuar 10 gola në kampionat këtë sezon, kështu që mos i thoni më që është më i vjetri. Zlatan është kampion në gjithçka që bën, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për Milanin. Jemi përmirësuar shumë individualisht dhe si ekip“, thekson Pioli. /abcnews.al