13 gazetarë të “Cumhuriyet” janë dënuar me burg nga gjykata turke, pasi u shpallën fajtor ndaj akuzës për mbështetje të grupeve terroriste. Ata u arrestuan pas përpjekjes së dështuar për grusht shteti në korrik të 2016-s.
Një gjykatë turke dënoi 13 gazetarë me burg, me akuzën e terrorizmit. Të 13-të punonin për gazetën opozitare “Cumhuriyet” dhe u arrestuan pas përpjekjes së dështuar për grusht shtet në Turqi, në Korrik të vitit 2016. Tre gazetarë të tjerë u liruan në sallën e gjyqit.
Autoritetet turke akuzuan stafin e “Cumhuriyet” për mbështetje të grupeve që i kanë shpallur terroriste dhe të klerikut fetar, Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja e fajëson për organizimin e grushtit të shtetit. Gulen, i cili mohon përfshirjen, jeton në SHBA dhe autoritetet amerikane refuzojnë ekstradimin e tij në në Turqi.
Mbi 50.000 njerëz janë arrestuar dhe 150.000 të tjerë janë pezulluar ose pushuar nga puna, pas përpjekjes për grusht shteti. Trembëdhjetë gazetarët e dënuar janë disa nga emrat më të njohur të gazetarisë turke, si kryeredaktori Murat Sabuncu, karikaturisti Musa Kart dhe editorialisti Kadri Gursel.
E themeluar në vitin 1924, gazeta Cumhuriyet ka ruajtur pavarësinë në një mjedis të kontrolluar mediatik, duke shkaktuar zemërimin e presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan. Pas vendimit të gjykatës për gazetarët, gazeta ka shkruar në web-faqen e saj:
“Do të jeni të turpëruar para historisë”.
Në muajin Mars, 25 gazetarë turq u burgosën për lidhje me Gulenin./abcnews.al