Valon Berisha është një nga lojtarët më të mirë shqiptarë dhe një prej pikave më të forta të Kosovës. Mesfushori ofensiv u huazua nga Lazio te Fortuna Dusseldorf janarin e këtij viti, teksa prej vitit të ardhshëm do të jetë pjesë e Reims në Francë, klub që pagoi 4.3 milion euro te bardhekaltrit.
27-vjeçari, autor i tre golave në 18 ndeshje të zhvilluara me “Dardanët”, ka rrëfyer një sekret për Zeri.info. Lojtari që ka provuar të luajë me të gjitha kombëtaret e Norvegjisë (20 ndeshje me kombëtaren e madhe), tregon momentin kur ishte gati ta mbyllte me futbollin.
“Isha 20 vjeç, jetoja në Norvegji dhe bëra një prove tek Elfsborgu i Suedisë. Pësova lëndim, dëmtova ligamentin krucial dhe aty mendova se mori fund karriera si futbollist. Fillova të qaj.
Më duhet të them se kam pasur shumë mbështetje nga futbollistë që kanë pasur dëmtime të tilla. Ky lëndim më ndihmoi që të punoj më shumë më pas“, deklaron Berisha, të cilin pikërisht dëmtimet s’e lejuan të përshtatej siç duhej me Lazion. /abcnews.al