Në monologun e tij të fundit për këtë sezon gazetari Mustafa Nano në “Provokacija”,fokusin kryesor e ka pasur tek roli i opozitës për situatën politike që ka ndodhur në vendin tonë.
Nano ka theksuar se opozita tashmë duhet që ta kuptojë se parlamenti është legjitim dhe se ato janë fajtorët e vetëm në lidhje me çdo gjë që ka ndodhur.
Ai thekson se kritika mbetet vetëm tek opozita, pas vendimit të tij për të djegur mandatet e deputetëve, që ata e quajnë sakrificë të madhe për interesa madhore, ishte një veprim i pabesë.
“ Janë fajtorët e vetëm. Nuk është se për këtë duhet ta hapim kritikën në të dyja anët, siç bëjmë shpesh. Jo, kritika mbetet vetëm tek opozita. Vendimi për të djegur mandatet e deputetëve, që ata e quajnë sakrificë të madhe për interesa madhore, ishte një veprim i pabesë. Nëse mbajmë parasysh edhe tentativat për trazira e për destabilitet e luftë civile që u bënë nga opozita për muaj të tërë (rrofshin ambasadorët!, duhet të bërtasim me këtë rast), ai vendim duhet cilësuar si një poshtërsi e madhe. Si një nga poshtërsitë më të mëdha që është tentuar t’i bëhen këtij vendi gjatë 30 viteve të fundit. Ne të gjithë po i paguajmë një kosto atij vendimi”, shkruan Nano.
Monologu nga Mustafa Nano:
Në monologun e fundit, ku kritikoja qasjen e maxhorancës për ta ndryshuar kushtetutën me lehtësi të frikshme, u ngacmova nga një kërcënim i Ramës ndaj Presidentit. “Sillu mirë”, i thoshte ai me pak fjalë presidentit, “se t’i hoqa kompetencat kushtetuese”. I qëndroj mendimit se në kushtetutë nuk mund të futen duart për një motiv kaq banal (“për të neutralizuar një funksionar apo dinjitar të caktuar” që i ngre nervat një maxhorance). I qëndroj mendimit edhe se këtij parlamenti, për shkak të një ligështimi moral që e karakterizon atë, nuk i takon të bëjë ndryshime të ligjit themeltar të shtetit. Por herën e fundit, teksa bëja kritikën time, nuk harrova të nënvizoja faktin që ky parlament është legjitim, megjithatë.
Madje, u bëja thirrje opozitarëve ta hiqnin nga mendja idenë për ta vënë në dyshim legjitimitetin e këtij parlamenti. Mirëpo, Basha dje, pas votimit në kuvend të ndryshimeve kushtetuese, iu kthye këtij avazi. Ai filloi të fliste për parlament gjysmak. Këtij njeriu kur është puna te ndryshimet, me të cilat ai bie dakord e të cilat i miraton ky parlament, nuk i shkon mendja të thotë ndonjë gjë të keqe në adresë të parlamentit. Përkundrazi, ia pranon vendimet që ai merr. Siç pranoi votimin e marrëveshjes së 5 qershorit. Ndërsa, kur vendimet e parlamentit nuk i pëlqejnë, këtë të fundit e quan gjysmak, ilegjitim, shtojcë të Edi Ramës, apo ku di unë tjetër. Kjo lojë është bërë fare e palezetshme tanimë, përveçse është edhe e pakuptimtë. Siç është i pakuptimtë e i palezetshëm nervozizmi i tyre pse brenda sistemit nuk bëhet ajo që duan këta që janë jashtë sistemit. Ata dolën jashtë sistemit dhe tani duan të diktojnë atë që ndodh brenda sistemit.
Pastaj, këta njerëz, Basha e Co, duhet ta dinë se nëse ka ndonjë gjë që nuk shkon me parlametin e sotëm, fajtorë janë ata. Janë fajtorët e vetëm. Nuk është se për këtë duhet ta hapim kritikën në të dyja anët, siç bëjmë shpesh. Jo, kritika mbetet vetëm tek opozita. Vendimi për të djegur mandatet e deputetëve, që ata e quajnë sakrificë të madhe për interesa madhore, ishte një veprim i pabesë. Nëse mbajmë parasysh edhe tentativat për trazira e për destabilitet e luftë civile që u bënë nga opozita për muaj të tërë (rrofshin ambasadorët!, duhet të bërtasim me këtë rast), ai vendim duhet cilësuar si një poshtërsi e madhe. Si një nga poshtërsitë më të mëdha që është tentuar t’i bëhen këtij vendi gjatë 30 viteve të fundit. Ne të gjithë po i paguajmë një kosto atij vendimi.
Kostoja që po i paguan Basha është asgjë në raport me koston që po paguan vendi. Madje, po të ishte puna veç te kostoja që po paguan Basha, atëherë ne do na duhej të thoshim me plot gojën: “Mirë t’i bëhet! Në keq duhet ta paguajë!” Por kostoja e kapërcen atë të tijën. E prandaj, ai do bënte mirë që të mos fliste për parlamentin. Le të flasë për të gjitha, por jo për parlamentin. Tani, edhe për të gjitha, jo. Se po u la të flasë për të gjitha, lëshon mufka. Fjala vjen, do bënte mirë të mos fliste, në stilin e mentorit të tij të pavdekshëm, as për burgosjen e kundërshtarëve të tij politikë, kur ai të vijë në pushtet. “Vendi yt është në burg pas zgjedhjeve të reja”, i tha Basha-Ramës. “Do të të çojmë në burg, aty ku të presin Avdylajt”, tha edhe Paloka. Tani, këta ose kanë nën kontroll në mënyrë okulte sistemin e drejtësisë, dhe ne nuk e dimë, dhe për këtë arsye nuk duhet lejuar t’iu bjerë në dorë edhe pushteti ekzekutiv, pasi kështu i bie që ne të biem dakord me krijimin e një klike shumë të fuqishme (por nuk është ky rasti, në fakt), ose janë aq të paditur sa ende nuk kanë mësuar një të vërtetë elementare, bazike të shtetit të së drejtës: kryeministri, apo ekzekutivi në përgjithësi, nuk fut dot askënd në burg. Nuk ka fëmijë që nuk e ka kuptuar këtë gjë. Me përjashtim të fëmijës Luli Basha.
Basha e Co duhet t’i japin fund edhe retorikës me kanosje për destabilitet. Ka gjashtë vjet që na kërcënojnë me destabilitetin e vendit. Është bërë si një sëmundje tanimë mes demokratëve. Java shtatë e ata tetë, “Shqipëria do destabilizohet”, thonë. Sapo Rama e socialistët ndërmarrin një hap, që demokratëve ua do puna ta konsiderojnë të ndyrë, anti-kombëtar, anti-kushtetues, etj, ata menjëherë bëhen të gjallë duke thënë se “Rama po luan me stabiltetin e vendit”. Këtë gjë e thotë që nga “fajkoi” Bardhi e deri te “pëllumbi” Besnik Mustafaj.
Duket se shumë opozitarë, më shumë se te zgjedhjet e lira kanë besuar se maxhoranca do të bjerë pas dy mandatesh, se kështu ka ndodhur deri më sot, asnjë maxhorancë nuk ka qëndruar më shumë se dy mandate. U është mbushur mendja se nuk ka pse të prishet ky rregull. “Sido që në të jemi, çfarëdo që ne të bëjmë, pas dy mandatesh do të vijmë në pushtet; kështu ka ndodhur e kështu do të ndodhë”, mendojnë ata. Mbi këtë bazë, e mbi asnjë bazë tjetër, ata ndihen të lodhur në opozitë, dhe janë bërë gati për të ardhur në pushtet. Mirëpo herë pas here u rezulton se kjo maxhorancë mund të mos bjerë. Dhe këtu fillon destabilizimi, por jo i Shqipërisë. I atyre vetë. Të cilët fillojnë të flasin për destabilizimin e Shqipërisë, ku ka rrezik të ndodhë një e pabërë dhe e paparë, ka rrezik që një parti të qëndrojë edhe më shumë se dy mandate. /abcnews.al