Paulo Dybala është një nga protagonistët e mëdhenj të Juventusit këtë sezon. Argjentinasi ka bërë shumë mirë dhe ia ka dalë të shënojë 11 gola e të dhurojë 7 asiste për shokët e skuadrës në kampionat, duke dhënë kontributin e tij në fitimin e titullit të nëntë radhazi në Itali.
Së fundi ka ardhur dhe vlerësimi i Ligës Italiane, që e ka zgjedhur lojtarin më të mirë të muajit korrik në Serie A. Çmimi do t’i dhurohet përpara fillimit të ndeshjes së fundit të kampionatit mes Juves dhe Romës (1 gusht, 20:45).
Për fat të keq, 26-vjeçari pësoi një dëmtim në ndeshjen kundër Sampdorias dhe është në dyshim për duelin kundër Lyon në Champions League. Bardhezinjtë duhet të përmbysin humbjen 1-0 në Francë për t’u kualifikuar në çerekfinalet e kompeticionit më të rëndësishëm për klube.
Dueli i kthimit kundër skuadrës së Rudi Garcias do të luhet në datë 7 gusht (21:00) dhe Juventusi ka nevojë për kualitetin e Dybala. Rikuperimi i tij po shkon në mënyrën e duhur dhe trajneri Sarri mund ta aktivizojë disa minuta në “finalen” e parakohshme. /abcnews.al