Largohet Dita: Nuk do ju harroj kurrë, Skënderbeu dhe Korça gjithmonë në zemër

schedule23:57 - 29 Korrik, 2020

schedule 23:57 - 29 Korrik, 2020

Bruno Dita la Teutën në korrikun e vitit 2017 për t’u transferuar te Skënderbeu. 27-vjeçari kaloi sezone fantastike në Korçë, aty ku fitoi kampionatin, Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën. Mesfushori, i cili disa herë është aktivizuar edhe si qendërmbrojtës, provoi edhe emocionet e aktivizimit në grupet e Europa League me tetë herë kampionët e Shqipërisë.

Lojtari nga Tirana, ka vendosur të ndahet me Skënderbeun. Karriera e tij do të vijojë në Tetovën shqiptare të Maqedonisë së Veriut. Dita ka gjetur akordin me Shkëndijën dhe do të mbajë fanellën kuqezi mbi super duke nisur nga sezoni i ardhshëm.

Falënderimi për Skënderbeun, shokët e skuadrës, presidentin Takaj trajnerët dhe tifozët korçarë, nuk mungon në postimin emocionues të bërë në rrjetet sociale, aty ku ndër të tjera Dita shkruan: “Gjithmonë ndarja është e vështirë, por çdo fillim e ka një fund.

Këto 3 vite aty janë momentet më të bukura të karrierës sime deri tani dhe unë nuk do i harroj kurrë çfarë kaluam së bashku. Dua të falënderoj në radhë të parë të gjithë shokët e skuadrës, presidentin e ekipit Ardjan Takaj, tifozerinë “Ujqërit e Dëborës”, që në çdo moment, të mire apo të keq, më kanë përkrahur vazhdimisht.

Postimi i Bruno DITËS

Një falënderim të veçantë kam për trajnerët e mi, Ilir Daja dhe Orges Shehi, që së bashku me ndihmësit e tyre më mësuan kaq shumë këto vite dhe më rriten profesionalisht si futbollist.

Skënderbeu dhe Korça me njerëzit e saj të mrekullueshëm, do të jenë të gdhendura me shkronja të arta në zemrën time e do kenë një vend të veçante aty.

Shpresoj që rrugët tona të bashkohen përsëri një ditë, ja u dëgjofsha të mirën, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Evropë shumë shpejt. Suksese SKENDERBE“, shkruan Dita. /abcnews.al