Ylli: Projekt-ligji i sportit do i mbijetojë kohës, e pranoi dhe Kryeministri

schedule18:27 - 29 Korrik, 2020

schedule 18:27 - 29 Korrik, 2020

Fidel Ylli ka folur gjatë rreth ligjit të sportit në “Studio Sprint” në ABC News. Deputeti socialist, i ftuari i moderatorit Gerti Çarçani, foli rreth miratimit të disa ndryshimeve në ligjin e sportit, të cilat u sollën në parlamentin shqiptar nga komisioni përkatës, dhe miratimi i të cilave u mbështet nga deputeti Fidel Ylli.

“Jam shumë optimist për këtë projekt-ligji që kaloi sot në parlament. Kjo ka të bëjë me atë që sporti është në të gjitha parlamentet europiane, ligjet e sportit votohen me konsesus. Kjo gjë më bën të ndihem mirë.


Ky projekt-ligj do t’i rezistojë dhe kohës, pasi janë pyetur të gjitha grupet e interesit, bizneset, dhomat e tregtisë, Federatat. Ne kemi bërë debate të mëdha sa i përket projekt-ligjit të sjellur nga Qeveria. Disa nga mendimet, ne i kemi rrëzuar poshtë. Prandaj them që kushdo Qeveri që të vijë në pushtet, të mos merret me ligjin e sportit, pasi do t’i rezistojë kohës.

Kemi bërë një punë voluminoze për këtë projekt-ligj, për të treguar se sportit është para çdo ligji tjetër. Unë mendoj se Qeveria jonë, këtë herë e ka shumë seriozisht. Vetë Kryeministri në tavolinë me Federatën e Futbollit, bëri disa premtime, dhe premtimet nuk janë thjesht për një donacion për sportin, por për një furi ligjesh që kanë ardhur në parlament.

Është një ligj që me 100 lekë, 40 lekë i merr shteti, 60 lekë i fut privati, pra është një ndihmë shumë e madhe. Ligji i Dhunës është si në Angli, po u fute në fushë dënohesh me burg. Stadiumet po bëhen me kamera dhe në ligjin aktual, nuk kemi bërë si në 2017-ën, që gjatë ndeshjeve të futbollit duhet vetëm një agjenci private.

Duke shfletuar me shumë vëmendje kartën e Këshillit të Europës për dhunën në sport, kemi konstatuar që organizimin e një ndeshje futbolli, nuk duhet t’ia lëmë vetëm Federatës, por dhe shteti shqiptar. Nuk duhet të veprojë shteti shqiptar vetëm kur vjen kombëtarja e Izraelit.

Ky ligj u pranua dhe nga Kryeministri. Të gjithë u bindën që ne si grup pune, kishim të drejtë dhe nuk mund të pranonim ato dy pika që na rekomandoi Qeveria. Grupet e punës ishin ballë për ballë me Qeverinë dhe ky grup pune, ku unë isha në krye, u vumë ballë për ballë me Qeverinë dhe treguam se nuk mund të pranojmë pikat e ardhura nga jashtë. Kemi punuar për dy muaj rresht, nga ora 8 e mëngjesit deri në 5 pasdite. Kemi bërë ndryshime radikale edhe për futbollin, edhe për sportet e tjera”, u shpreh Fidel Ylli./abcnews.al